Sipas një raporti nga OPEC (Organizata e Vendeve që Eksportojnë Petroleum), prodhimi botëror i naftës do të rritet edhe më shumë gjatë pesë viteve të ardhshme, pasi një kërkesë shumë më e madhe nga linjat ajrore do të kompensojë ardhjen e makinave elektrike.

Në një parashikim që do të turpërojë ambientalistët, dhe që vë në dyshim teorinë se rezervat e kompanive të naftës do të bëhen “pasuri të bllokuara“, raporti vjetor i OPEC në mënyrë të konsiderueshme vlerësoi rritjen e kërkesës për naftë. Pjesa më e madhe e rritjes së prodhimit do të vijë nga vendet jashtë OPEC.

OPEC pret që kërkesa globale e naftës të arrijë afro 112 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2040, të nxitur nga transporti. Sot kërkesa globale e naftës është 100 milionë fuçi në ditë.

Qymyri do të vazhdojë të digjet në sasi rekord, pavarësisht shqetësimeve rreth ndikimit të saj në ndryshimet klimaterike. OPEC vlerëson se ndërsa përdorimi i qymyrit në vendet e OECD (Organizata për Bashkëpuni Ekonomik dhe Zhvillim) do të bjerë me një të tretën deri në vitin 2040, në vendet në zhvillim do të rritet me 20% për të arritur pesë-fishin e vëllimit që do të digjet në perëndim.

Linjat ajrore në botë do të jenë përdoruesit më të shpejtë në rritje të naftës, duke rritur mesatarisht konsumin me 2.2% në vit, deri në 2040-n. Megjithatë, rritja më e madhe absolute pritet të vijë nga transporti rrugor.

Numri i makinave në rrugë në të gjithë botën pritet të kalojë nga 1.1 miliardë sot deri në 2.4 miliardë në vitin 2040. Prej tyre, në skenarin e tij qendror, OPEC pret që vetëm 320 milion të jenë elektrike, një numër që mund të arrijë edhe në 720 milionë, nëse makinat me bateri blihen masivisht.

Sipas OPEC, nëse ndodh ky skenar, ku makinat elektrike blihen jashtëzakonisht shumë, kërkesa e naftës do të shkojë në 109 milionë fuçi në ditë, nga 100 që është sot.

OPEC ka rishikuar parashikimin e tij për pjesën e tregut të makinave të naftës për shkak të pasojave nga skandali i ‘dieselgate’ dhe njoftimeve të strategjisë elektrike nga prodhuesit e makinave gjatë vitit të kaluar.

Prodhimi i energjisë së rinovueshme do të rritet me shpejtësi, por deri në vitin 2040 do të plotësojë vetëm rreth 20% të kërkesës globale të energjisë, sipas parashikimeve në raport.

Çmimi i naftës së papërpunuar është rritur nga rreth 50 dollarë për fuçi në fund të vitit 2016 deri në 80 dollarë këtë verë.

Më herët këtë muaj Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë paralajmëroi se ekziston rreziku që çmimet e naftës të rriten më shumë në muajt e ardhshëm.

Shumica e kompanive të naftës presin që maksimumi i kërkesës së naftës do të ndodhë në vitet 2030-tat, por ka edhe parashikime që theksojnë se mund të vijë në 2020-tat si rregullim i ndryshimeve klimaterike.

OPEC, i cili po mblidhet në Algjer sot për të diskutuar se si të rrisë prodhimin për të ulur çmimet, sheh Shtetet e Bashkuara si vendin që do të rrisë më shumë prodhimin gajtë 10 viteve të ardhshme.

Vendet e OPEC-ut shpresojnë që të rrisin furnizimin botëror të naftës nga 34% tani, në 40% në vitin 2040, ndërsa SHBA do t’i ‘mundë’ në 2020-tat.

Raporti vë në pikëpyetje nëse politikat pro-naftë të Donald Trump do të ndihmojë SHBA-në në prodhimin e naftës, duke përmendur edhe faktin se nën rregullacionet “tepër të rënda” të presidencës së Obamës, prodhimi u rrit.

The Guardian, përshtati në shqip