rama-erdogan-1

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule thotë se Rama u ndikua nga një faktor i tretë për anulimin e marrëveshjes së detit me Greqinë. Këtë hipotezë e ka hedhur i pari Berisha në sallën e Kuvendit dhe Dule e mëbshtet. Në intervistën për Sokol Ballën, Dule rendit fillimisht disa fakte.

“Vazhdoj t’i qëndroj mendimit se ankimimi i asaj marrëveshjeje nga zoti Rama, që erdhi me një kohë vonesë, të mos harrojmë se marrëveshja u nënshkrua në prill të 2009, u miratua në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, nuk e di se për çfarë arsyesh nuk u diskutua në komisionet e tjera parlamentare, siç parashikon ligji dhe më pas në seancë plenare. Zoti Rama u kujtua për marrëveshjen e detit në muajin shtator, pasi kishte humbur zgjedhjet, pasi nuk kishte reaguar në Komisionin e Sigurisë, ku PS e votoi atë dhe e përdori këtë çështje si një kartë në kuadër të bojkotit të Parlamentit dhe të politikës opozitare më gjerë” – tha Dule duke nënvizuar: “Besoj se pala e tretë ka qenë e pranishme në frymëzimin…”

E Turqisë, e Erdoganit?

“Në frymëzimin. Kjo del me rregullin e treshit. Në të gjithë rajonin, më gjerë, se politika jonë e jashtme është bërë pak dritëshkurtër me zotin Rama, nuk sheh pak më gjerë dhe nuk i sheh nga kendvështrimi rajonal zhvillimet. I vetmi vend, duke filluar nga Italia, Greqia, Libia, Egjipti, Izraeli, Libani, Siria dhe Turqia, se këto vende ndajnë pellgun e Mesdheut lindor. I vetmi shtet që ka probleme është Turqia. Është i vetmi shtet që marrëveshjen nuk e ka pranuar për interesat e veta. Për mua marrëveshja është ideale në shërbimin më të mirë të interesave të dy vendeve dhe nëse zoti Rama nuk do të ishte bërë pengesë, sot do të shihnim përfitimet e dy palëve në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe këtu të kaloj në një përfundim që është i vazhdueshëm; zoti Rama nuk  ngurron të bëjë një gabim fatal që të integrojë në kuadrin e politikës së tij, qoftë si mazhorancë, qoftë si opozitë në ballafaqimin e përditshëm partiak në vend, të përfshijë politikën e jashtme. Është shërbimi më i keq i mundshëm që mund t’i bëhet interesave të një vendi” – thotë kreu i PBDNJ-së.