rama-dhe-meta_10

“Misioni i LSI-së ka mbaruar bashkë me lojën ‘i treti i vërteti’”. Kjo ishte porosia e qartë që Edi Rama u ka dhënë bashkëpunëtorëve të tij në qarqe. Dy javë para datës së zgjedhjeve, kryesocialisti Rama ka dhënë porositë e tij në lidhje me këtë fazë të fushatës, veçanërisht për marrëdhënien me aleatin e tij në qeverisje, Ilir Metën.

Pa i ndërprerë ata nga fushata, ai ka komunikuar deri pas mesnate me koordinatorët në qarqe përmes një video-konference, ku ka marrë të dhëna prej tyre për ecurinë e fushatës, por edhe votat që PS-ja parashikon të marrë në çdo bashki.

Burime nga drejtuesit politikë të PS-së në qarqe thanë se Rama se u ka thënë atyre se nuk është problem i socialistëve nëse Ilir Meta apo krerët e tjerë të partive të vogla e marrin këtë si luftë politike, apo personale ndaj tyre, dhe sipas tij socialistët nuk duhet të bien në batakun e fushatës së tyre të mbushur me mllef e kërcënime, pasi misioni i LSI-së ka mbaruar bashkë me lojën “i treti i vërteti”.

Drejtuesit politikë në qarqe kanë kërkuar shpjegime mbi deklaratën e bërë në komunikimin javor dhe mësohet se Rama e ka nënvizuar edhe më fort këtë tezë, duke argumentuar se nënshtrimi i mëtejshëm ndaj logjikës së copëtimit të administratës me LSI-në apo të tjerë, në dëm të projektit të shtetbërjes, për hir të numrave në parlament, është i papranueshëm për të.