Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer se natën e tërmetit tragjik të 26-nëntorit i ka dërguar një mesazh në celularin personal, kryetarit të Partisë Demokratik, Lulzim Bashës. I ftuar në emisionin “Zona e debatit”, në “Klan Kosova” me Baton Haxhiun, Rama u shpreh se Basha nuk i ka kthyer përgjigje mesazhit të dërguar.

“Natën e tërmetit i kam dërguar një mesazh Lulzim Bashës. Ka qenë një mesazh i dërguar në telefonin personal, jo mesazh publik. I shkrova dhe i thashë se mendoj që bashkë të shkojmë aty ku është dhimbja, se në fund të fundit asgjë nuk ka më tepër rëndësi se sa nevoja për ngushëllim e njerëzve. Dhe e presin nga ne…,” – tha Rama ndër të tjera.

Më tej kryeministri solli në vëmendje thirrjet publike që i ka bërë kryedemokratit, për t’u ulur në dialog, por që sërish nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Mund të vinte jo për të bërë marrëveshje, por për të qenë përtej politikës,”– tha ai më pas.