Edi-Rama-kryeministri
Temperaturat e larta të verës ia kanë avulluar arsyen. Nuk mund të ketë justifikim tjetër për tezën që ka hedhur sot kryeministri shqiptar Edi Rama mbi eksodin e shqiptarëve. Pyetjes së një qytetari në intervistën e tij në rrjetet sociale, se përse po ikin kaq shumë qytetarë shqiptarë nga Shqipëria në Gjermani, Rama i përgjigjet: “Është fakt që dihet tanimë dhe nga autoritetet atje se shumica dërrmuese e shqiptarëve s’janë të ikur nga Shqipëria po nga Greqia!”.

Kështu, sipas kryeministrit, janë emigrantë shqiptarë që kanë punuar për vite me radhë në Greqi ata që po regjistrohen si azilantë politikë në Gjermani. Por nga të kthyerit e deritanishëm prej autoriteve gjermane, nuk ka ndonjë me dokumenta greke. Janë të gjithë me pasaporta shqiptare e që rrezikojnë hyrjen në vendet e zonës Shengen, përfshirë Greqinë. Ndaj pyetja që lind është: a do të rrezikonin emigrantët shqiptarë në Greqi që t’i prishnin dokumentat e tyre duke aplikuar për azil politik në Gjermani?

Më parë, Edi Rama ka thënë se shqiptarët po largohen masivisht nga Shqipëria (jo nga Greqia) për shkak të një keqkuptimi me kërkesat e Gjermanisë për punonjës të kualifikuar. Më vonë tha se ata po bien pre e trafikantëve. Në një tjetër rast është shprehur se janë nga veriu. I besuari i tij, Erion Veliaj, pati deklaruar në Kuvend se janë nga bashkitë e qeverisura nga demokratët. Tani Rama i ka gjetur arsyet në Greqi.

Nuk është çudi që pasi shifra e aplikimeve të kalojë rekordin e korrikut, ku u regjistruan 7 mijë shqiptarë, të thotë se ata janë sirianë që hiqen si shqiptarë. Dokrra të tilla nuk do të bënin më shumë përshtypje se këto të gushtit që sapo tha kryeministri i çlodhur nga pushimet e rehatshme në jug.