Maxhoranca ka reaguar pas akuzave të opozitës për lojërat e fatit duke treguar me gisht pas tyre njerëz të afërt të kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Drejtor i Komunikimit në Kryeministri Endri Fuga në një reagim thotë se asnjë familjar i Kryeministrit apo Ministrit të Brendshëm nuk ka asnjë lidhje me kompanitë e basteve apo atyre që bëjnë monitorimin e basteve online, duke i quajtur shpifje akuzat e PD-së.

“Partia Demokratike vazhdon avazin e vjetër dhe të dëshpëruar të baltosjes së përditshme. Prej dy ditësh akuzon në hava, pa dhe as edhe një fakt të vetëm, vëllain e Kryeministrit dhe atë të Ministrit të Brendshëm, për favorizim të kompanive të basteve dhe lojërave të fatit.

Së pari, asnjë familjar i Kryeministrit apo Ministrit të Brendshëm nuk ka asnjë lidhje me kompanitë e basteve apo atyre që bëjnë monitorimin e basteve online, siç shpif PD-ja.

Së dyti, në datë 31 dhjetor të këtij viti, duke mbajtur zotimin e dhënë dhe të sanksionuar në ligj si afati i fundit për kompanitë, nuk do të ketë më asnjë kompani lojërash fati brenda territorit të qyteteve”, deklaron Fuga.

Sipas tij në qeverisjen e PD ishin 40 kompani bastesh dhe arkëtoheshin nga shteti gati gjysma e atyre që arkëtohen aktualisht. Për më tepër Fuga thekson se ato kompani që përmenden nga opozita kanë marrë licencat gjatë qeverisjes së Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.

“Së treti, nëse gjatë qeverisjes së PD-së ekzistonin 40 kompani të tilla dhe arkëtoheshin nga shteti 37 milionë dollarë, sot numri i kompanive është përgjysmuar dhe të ardhurat në buxhet nga aktiviteti i tyre janë pothuajse dyfishuar.

Së katërti, kompanitë për të cilat opozita baltos qeverinë kanë rinovuar licencat e tyre ose kanë marrë licenca të reja, gjatë viteve kur në qeveri ishte Sali Berisha dhe Lulzim Basha”, thotë më tej Drejtor i Komunikimit në Kryeministri.

Fuga deklaron se ‘qeveria shqiptare është e angazhuar për të dhënë një zgjidhje përfundimtare edhe për industrinë e basteve dhe shumë shpejt, do të jetë gati projekti i ri ligjor i kufizimit të fortë të tyre’.’

“Nga PD nuk presim dot asgjë tjetër. Por kemi të drejtë të presim që më në fund mediat që i pasqyrojnë këto shpifje apo përgënjeshtrime, të bëjnë mundësisht punën e tyre dhe të verifikojnë kush gënjen në këtë mes. Ndërkohë Kryeministri dhe qeveria do të vijojnë të punojnë me të gjithë vëmendjen për njerëzit, pa humbur kohë dhe energji në rrugën e vjetër të baltës ku opozita zvarritet e përpiqet papushim të zvarrisë vetë Shqipërinë”, përfundon Fuga.