koco-kokedhima-rama1-1_1463037653-6119255

Në mbledhjen e Këshillit të Qarkut të Vlorës, kryebashkiaku Dritan Leli kërkoi largimin e Sadrit Danajt, që mban postin e kryetarit të Këshillit. Danaj njihet si mbështetës i Koço Kokëdhimës në PS. Në nisje të mbledhjes Dritan Leli propozoi mocion mosbesimi ndaj kryetarit të Qarkut Danajt. I pranishëm në mbledhje ka qenë edhe ministri i Energjetikes, Damian Gjiknuri, që është edhe i deleguari i kryesisë së PS për Vlorën.

Kërkesa është bërë shkak për replika mes Danajt dhe Lelit, e më pas në debat janë përfshirë edhe këshilltarët e tjerë.

DEBATET
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli tha në nisje të seancës: Kërkoj shkarkimin e kryetarit të Këshillit të Qarkut për mocion mosbesimi.

Por Sadrit Danaj i është përgjigjur: Ju më keni zgjedhur. Kërkesa juaj, e paligjshme.

Teksa Danaj tha se duhet të ndiqet rruga ligjore, këshilltarët e majtë kërkuan të ndryshojë rendi i ditës. Kryetari i këshillit të qarkut, njihet si mbështetës i Koço Kokëdhimës.

“Ke humbur besimin e Partisë Socialiste”, i ka thënë kryebashkiaku Sidrit Danajt.

Danaj më pas iu drejtua Lelit: E ke lënë popullin në baltë bashkë me kulisat e PS.

Ndërkohë në një njoftim të shpërndarë nga Lëvizja Zgjidhja në PS thuhet se “Qeveria ëhstë zhvendosur në Vlorë, për t’i bërë presion këshilltarëve bashkiakë për shkarkimin e kryetarit të këshillit të Qarkut”

Përveç Sadrit Danajt thotë Zgjidhja janë bërë dhjetra shkarkime në muajt e shkuar ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj lëvizjeje.

“Zyrtarë të qeverisë, deputetë dhe drejtues të PS-së në Vlorë janë mbledhur sot në qytetin bregdetar në përpjekjen për të shkarkuar nga detyra kryetarin e Këshillit të qarkut, Sadrit Danaj. Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, deputetët Edmond Leka dhe Andrea Marto si dhe drejtuesit e degës së PS-së në Vlorë janë përfshirë prej dy ditësh në negociata të fshehta dhe presione të hapura psikologjike për të siguruar shumicën e votave në Këshillin e Qarkut që arrihet shkarkimi i Danajt nga posti.

Burime pranë këshillit të qarkut thanë se, për të siguruar votat, të deleguarit nga Tirana dhe bashkëpunëtorët e tyre në Vlorë, u kanë kërkuar anëtarëve të këshillit që të votojnë duke lënë shenja të dallueshme në fletët e votimit.

Kreu i Këshillit të Qarkut, Sadrit Danaj, prej disa muajsh është angazhuar në lëvizjen “Zgjidhja” të drejtuar nga z.Koço Kokëdhima, që kërkon hapjen, shumimin dhe modernizimin e partisë. Presioni ndaj Danajt me shkarkim nga detyra, me anë të votimit në këshillin e qarkut, vjen pas dhjetra shkarkimeve që janë bërë në muajt e shkuar ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të lëvizjes “Zgjidhja”, apo kërcënimeve me vendin e punës, që janë denoncuar nga z.Kokëdhima si vepra të shëmtuara dhe që s’kanë të bëjnë me moralin dhe praktikën e PS-së” thuhet në njoftimin e Lëvizjes Zgjidhja.