Në një takim me strukturat e integrimit në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, kreu i qeverisë Rama tha se ndonëse Shqipëria nuk mori hapjen imediate të negociatave, por çeljen e negociatave në një afat prej 12-muajsh, ky është një vlerësim pozitiv.

Ai theksoi se Komisioni Europian do të nisë menjëherë procesin përgatitor, në mënyrë që Shqipëria të mos humbë kohë në drejtim të procesit të integrimit në BE.

“Ka qenë jo një çudi, por në njëfarë mënyrë një surprizë befasuese për ne, që të gjithë kanë bërë edhe më shumë se çdo të ishte mjaft për të thënë se ne e bëmë tonën. Në mënyrë të veçantë dua të nënvizoj atë që në 72 orët e dallgëve të larta të procesit fillimisht në Luksemburg e më pas në Bruksel, bënë fqinjët tanë greke dhe italianë. Në kuptimin më të vërtetë të fjalës, bënë asgjë më pak sesa do të kishim bërë ne vetë nëse do të ishim të pranishëm. Ne mungonim, por falë angazhimit të jashtëzakonshëm të këtyre dy miqve, ne nuk munguam aty. Ishte një ndihmë e jashtëzakonshme qoftë për ne, qoftë edhe për fqinjin tonë Maqedoninë e Veriut. Sot ne kemi kapërcyer një moment tejet të vështirë. Deri dy orë para vendimmarrjes përfundimtare nuk kishim tekst. 25 vende u rreshtuan në mënyrë të vendosur për të mbështetur çeljen e menjëhershme të negociatave dhe 3 vendeve të tjera ishin në një pozicion të ndryshëm për arsye që ne i kemi dëgjuar në vijimësi dhe i kuptojmë plotësisht. Ka një ndryshim mes çeljes imediate të negociatave dhe çeljes së negociatave në 12 muaj, dhe kjo është e pranueshme, por ndryshimi është më formal seç duket në pamje të parë. Edhe sikur çelja e negociatave të ishte imediate, ne do të na duhej një punë përgatitore që do të merrte një kohë të caktuar, që shtrihet nga 6 në 12 muaj. Çelja e negociatave është përcaktuar pas 12 muajsh, por Komisioni do të nisë menjëherë procesin përgatitor. Ky është mirëkuptimi më i plotë dhe më i mirëpritur nga ana jonë i të gjithë vendeve anëtare. Kjo është lejuar për të mos humbur asnjë minutë kohë. Ne do të thellojmë reformat tona në të gjithë ato drejtime që janë mirëpërcaktuar nga teksti i Këshillit”, – tha kryeministri Rama.