Rama ka nisur fushatën e re të propagandës, duke e maskuar si takime të qeverisë me qytetarët për llogaridhënie publike të punës që është bërë deri më tani. Takimi i parë u organizua sot në Tiranë. Teksa foli për taksat, Rama tha se kush nuk paguan taksat nuk është patriot.

“Patriotizmi fillon nga taksat. Kush thotë o sa mirë me qenë shqiptar, por i vjedh dritat nga komshiu, vetëm patriot nuk është”, u shpreh kryeministri në një përpjekje për të sqaruar akuzat se qeveria e tij i ka rritur taksat.

Më pas takimi vijon me pyetje nga publiku, të cilat në të shumtën e rasteve janë të porositura. Janë pyetje që i bëjnë njerëz pranë PS-së apo nëpunës të administratës publike. Kryesisht bëhet fjalë për çështje të cilat Rama do të dëgjojë, duke i dhënë atij mundësi të përsërisë ato mesazhe që ai do. Për shembull, një i ri nga Tirana, e pyet Ramën për aeroportin e Kukësit apo Vlorës.

Dikush tjetër e pyet për mësimin me turne në shkollat e kryeqytetit, duke i dhënë kështu mundësi Erion Veliajt të ripërsërisë edhe njëherë projektet e tij për ndërtim shkollash të reja. Një tjetër, nëpunës i Bashkisë, kërkon rritje rroge meqë Lali Eri, sipas tij, i mban në punë 365 ditë të vitit. Të gjitha janë pyetje të porositura nga stafi pranë Ramës- Veliajt apo ministrave të tjerë.