Në tryezën e OSBE-së për reformën zgjedhore ku mori pjesë edhe Partia Demokratike me ekspertin Ivi Kaso, ky i fundit propozoi në emër të opozitës që është jashtë parlamentit që reforma zgjedhore të hartohet nga një komision me përfaqësues të OSBE, BE dhe SHBA, një përfaqësues i parlamentit dhe një i opozitës që është jashtë tij.
Por ky propozim është refuzuar nga kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë për mediat shqiptare gjatë qëndrimit në Nju Jork.

“Ç’ka tani për ne është prioritet i prioriteteve është kalimi i të gjitha ndryshimeve në ligjin zgjedhor që kanë brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR. Për këtë do të duhet harmonizim patjetër edhe me OSBE/ODHIR dhe me partnerët, ndërkohë që strukturë ndërkombëtare, ndërmjetës ndërkombëtarë dhe përkthyes në gjuhën e huaj për t’u marrë vesh me shqiptarët, unë për veten time nuk kam për të pranuar asnjëherë” – tha Rama.

Por a do ta miratojë kjo mazhorancë reformën zgjedhore edhe nëse opozita që ka djegur mandate nuk ulet në tryezë?

“Për pjesën e parë nuk ka nevojë për opozitën jashtëparlamentare dhe nuk besoj se opozita jashtëparlamentare është kundër, sepse ato janë rekomandime të shkruara “e bardha në të zezë” (lapsus, e kundërta) dhe nuk kemi se çfarë të diskutojmë, siç mund të diskutojmë për të tjera aspekte që lidhen me sistemin, që lidhen me të tjera ide dhe sugjerime” – tha Rama.

Kryeministri këmbëngul se zgjedhjet janë në vitin 2021.

“Edhe ne kemi një ide që do ta çojmë deri në fund që është vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe duam që ata të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, por kjo i mbetet pjesës së dytë të procesit, përpara sigurisht zgjedhjeve të ardhshme që janë në 2021” – tha ai.