Rama bab
Kryeministri Rama ka gjetur një alibi për t’u mbrojtur nga akuzat për kriminalizimin e parlamentit. Ai shprehet se parlamentet janë shprehje e përfaqësimit të zonave, traditave e individëve që gëzojnë respekt dhe kanë influencë në zonat e caktuara. Duke iu përgjigjur pyetjes se “Përse në këto zona duhet të kandidohen këta njerëz të forte” në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, kryeministri tha:

“Së pari në asnjë parlament të Europës nuk janë të gjithë shkencëtarë. Parlamentet janë shprehje e përfaqësimit të zonave, të traditave të individëve që gëzojnë respekt dhe kanë influencë në zona të caktuara. Së dyti ky është një proces, Shqipëria është një vend që ka një demokraci të re dhe në këtë proces ka vend për reflektim dhe përmirësime të mëdha por askush sot nuk mundet të bëjë akuzuesin sepse faktikisht jam shumë krenar ta them që ne jemi në krye të një beteje reale për të emancipuar politikën dhe për t’i dhënë asaj një dimension shumë cilësor, edhe në pikëpamjen e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet.”

Deri tani 4 deputetë të mazhoranës i kanë provuar prangat dhe të katërt janë nga veriu i vendit dhe të gjithë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. 3 prej tyre, Arben Ndoka, Tom Doshi e Armando Prenga kanë qenë pjesë e listës së PS dhe i katërti, Mark Frroku, i listës së PKD –së, aleate e Partisë Socialiste në dy zgjedhjet e fundit. Kjo është hera e parë që kryeministri i jep ngjyra krahinore kriminalizimit të politikës. Por sipas opozitës në parlament janë 19 deputetë të PS e LSI që kanë të shkuar kriminale dhe që vijnë nga zona të ndryshme të vendit.