Në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve në Greqi, AMPE (agjencia athinase dhe maqedonase e lajmeve), Edi Rama foli për marrëdhëniet me Greqinë dhe për një takim të mundshëm me kryeministrin Alexis Tsipras.

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke janë historike dhe tradicionale fqinjësie, e si ndodh gjithnjë me fqinjët, nuk ecin gjërat gjithmonë në mënyrë të përkryer. Kjo dihet nga vetë eksperienca me çdo fqinj, si në një fshat, në një qytet apo akoma dhe mes vendeve, janë gjithmonë njësoj” theksoi në intervistë kryeministri Rama duke shtuar me humor “këtë e koncepton më mirë në një ndeshje futbolli mes fqinjëve, është si luftë”.

Rama ka theksuar se “jemi shumë të gatshëm të përmirësojmë këtë marrëdhënie në bazë përditshme, vazhdimisht dhe këtë e vërtetojmë me vepra. Ndodhin disa herë edhe incidente, duhet t’i përballojmë sepse ndodhin, por tashmë marrëdhëniet janë pozitive dhe çfarë është më e rëndësishme, nuk ka urrejtje mes dy popujve. Grekët e duan Shqipërinë dhe Shqiptarët e duan Greqinë, pjesa tjetër është thjesht politikë” deklaroi Edi Rama.

Në pyetjen për një takim të mundshëm me homologun grek Aleksis Cipras, theksoi se “do të takohen së shpejti”. “Nuk e di se ku, në Tiranë apo në Athinë, por planifikohet të takohemi së shpejti. Jemi në mes një faze dialogu të shpeshtë dhe diskutimi të shumë çështjeve, që shtrihen në mjaft vite dhe që nuk janë prekur kurrë. Me vullnet e guxim të plotë, si dhe vendosmëri për t’u zgjidhur. “Besoj se jemi shumë afër zgjidhjes të gjithë kësaj problematike të vjetër dhe kjo do të ishte një arritje e madhe”, ka përfunduar kryeministri Rama, sipas AMNA.