Rama-mbledhje-grupi-e1455618318333

Kryeministri Edi Rama tha se nuk pranon kushte për dialog me opozitën. Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Rama tha se zgjidhja duhet të vijë brenda kornizës kushtetuese.

“E konsideroj qeverinë përgjegjësi dhe detyrat qeverisëse përgjegjësi, jo privilegje, që i ke dhe nga të cilat heq dorë. Dhe nga kjo përgjegjësi ne nuk heqim dorë sa kohë jemi mandatuar nga populli për të ushtruar këtë përgjegjësi. Vetingu është historik për Shqipërinë që duhet, ndërkohë që është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që kemi që të dialogojmë me opozitën pa e kthyer në lojë kungulleshkash e pa vënë kushte, të ulemi në tavolinë e të diskutojmë ballë për ballë për të gjetur zgjidhje, për cka opozita pretendon brenda kornizës kushtetutese të vendit dhe në funksion të aspiratës së popullit, jo thjesht për zgjedhje të lira e të ndershme, por edhe për të përcaktuar rrugën e tij si vazhdim i domodsoshëm i rrugës përcaktuar që me rilindasit, Shqipërinë evropiane, pa drejtësi evropiane nuk mund të ketë, pa pastruar gjykatësit e prokurorët e korruptuar, s’mund të ketë, e me kërcënime për dhunë, destabilizim që sjellin në kujtesë kohët e zymta të kaluara nga shqiptarët nuk mund të ketë”- tha Rama, i cili u pyet nga gazetarët edhe për kërkesat e opozitës për qeverinë teknike. Përgjigjen e shmangu duke bërë ironi me gazetarin e Top Channel.

Top Channel: Ata kanë avancuar në kërkesat e tyre, opozita kërkon qeveri teknike zoti Rama…

Rama: Faleminderit se me dhe një lajm që nuk e kisha…

Top Channel: Po të jap edhe lajmin tjetër që opozita nuk është regjistruar në KQZ…

Rama: Edhe këtë lajm nuk e kisha. Por theksoj atë që kam thënë, zgjedhjet janë të popullit jo të partive, politikanët mund të regjistrohen apo jo, por nuk i thonë dot popullit që nuk mund të paraqitesh ditën e votimit sepse duam që të votosh ditën që duam ne.

Deklarata e Ramës u bë në përfundim të mbledhjes së grupit PS.