Kryeministri Edi Rama, ka kërkuar që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, të sqarojë akuzat që i janë bërë në lidhje me UÇK-në.

Gjatë komunikimit me gazetarët, Rama u shpreh se nuk do të donte që akuzat të jenë të vërteta, madje ai bëri edhe një paralelizëm më PS në kohën e Fatos Nanos.

“Gjykimi im është shumë i thjeshtë. Një përfaqësues i një familje, i një ndërmarrje, i një organizate, i një media dhe për më tepër përfaqësues i një numri të caktuar qytetarësh dhe aq më shumë akoma përfaqësues i një partie politike, që për më tepër akoma pretendon të qeverisë vendin, ka një detyre të mbajë qëndrime dhe të shikojë në sy njerëzit dhe të thotë atë që i takon në raport me çështje të caktuara dhe çështje që lidhet me të.

Nuk flasim për punët private të askujt, këtu flasim për një detyrim shumë të thjeshtë që një lider një drejtues ka, të shpjegohet. Patjetër që në këtë rast unë jam aspak i dëshiruar që këto akuza, që nuk i bëj unë, unë nuk kam bërë asnjë akuzë, këto i bëjnë njerëz që as i kam takuar dhe as i njoh. Nuk jam i dëshiruar që të jenë të vërteta, por është detyrim i patjetërsueshëm. Nuk ka pse e nxjerr partinë të bëjë deklarata. S’ka lidhje partia. Është detyrimi im në pozicionin që kam që ti them shpjegohu.

Nëse PS në kohën kur e ka drejtuar Fatos Nano ka mbajtur një qëndrim të caktuar që bie ndesh me interesin kombëtar, gjë që nuk ka ndodhur. Por nëse ka mbajtur dhe nëse më pyesni mua për atë qëndrim unë kam për detyrë të mbaj qëndrim, sepse jam kryetar i PS.

Basha duhet të thotë pse e votuan raportin e Dick Martyt. Ndërkohë që ne në opozitë kemi votuar kundër. Kemi qenë dy palë shqiptarë në Strasburg dhe kemi votuar ndryshe”, tha Rama.