rama_30
Kryeministri Rama ka inspektuar mbikalimin në kryqëzimin e Rrugës së Kavajës me Unazën e Re.

I shoqëruar nga kryebashkiaku Veliaj dhe ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj, Rama iu rikthye sërish mbikalimit të “Zogut të Zi”, që u shemb në vitin 2006 kur sapo demokratët erdhën në pushtet.

“Do vazhdojmë me financimin e anës tjetër, për të lidhur pjesën lart të Farkës dhe të Bregu të Lumit. Fatkeqësisht, ajo që ndodhi me “Zogun e Zi” disa vite më parë, sot faktikisht është kthyer në një kosto shumë të madhe për qytetarët, sepse në atë nyje duhet ndërhyrë patjetër, siç duhet tentuar një rimodifikim në nyjën tjetër te “Shqiponja”. Janë vepra që, nëse do i kishim bërë me radhë e në kohën e duhur, e nuk do na kishin dalë pengesat komplet barbare që na dolën, sot do ishim në kushte të tjera. Por rëndësi ka të përfundojë kjo pjesë dhe pastaj me siguri do gjejmë një zgjidhje dhe për “Zogun e Zi”, edhe për “Shqiponjën”. Ndërkohë që përfundimi edhe i Bulevardit të Ri, edhe i Sheshit “Skënderbej”, edhe i kësaj vepre e vendosin në një bazë tjetër platformën e zhvillimit të infrastrukturës së Tiranës,” – u shpreh Kryeministri Rama.