Kryeministri dhe Presidenti i Shqipërisë urojnë Kosovën për zgjedhjet e suksesshme parlamentare të mbajtura këtë të diel.

Me anë të një postimi nëpërmjet rrjetit social Tëitter, Rama uron Albin Kurtin, për rezultatin më të mirë, si dhe nuk lë pa përmendur as partitë e tjera, duke uruar LDK për rezultatin e dytë më të mirë dhe PDK për pranim të rezultatit.

Ndërsa Meta u shpreh se Kosova tregoi një shembull të demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira.

Postimi i Ramës

Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare. Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën?

Postimi i Metës

Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë.

Urime qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike, që i treguan mbarë botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë!