Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha ndodhen të dy në Bruksel, por për takime të ndryshme. Megjithatë nuk dihet nëse do të ketë ndonjë takim mes tyre larg vëmendjes së mediave. Ndoshta një takim për të vendosur se cfarë do të bëjnë me marrëveshjen e 18 majit, për të cilën Basha ka thënë se nuk ekzison, ndërsa Rama ka lënë të kuptohet se shpreson që Basha t’i qëndrojë asaj marrëveshje.

Rama u takua me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, të cilin e cilësoi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Nga ana tjetër kreu i PD-së, Lulzim Basha mori pjesë në punimet e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane. Lulzim Basha ka zhvilluar një sërë takimesh me kolegë, drejtues të partive simotra dhe përfaqësues të qeverive europiane. Përmes një deklarate për mediat, Basha thotë se kë vërejtur një stepje të madhe të përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë.