tmp_12510-mkd-1243402089050304

Pavarësisht rezultateve rreth formimit të Qeverisë në periudhën e ardhshme, se a do të formohet ajo dhe kush do ta formojë, VMRO-DPMNE nuk do të diskutojë dhe nuk do të lejojë ndryshim të Kushtetutës për sjelljen e dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë dhe për vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së, pas kumtesës së djeshme të BDI-së në lidhje me kërkesat për Qeverinë e re, njofton Portalb.mk.

“Arsyet deri më tani janë sqaruar disa herë në opinion dhe ato kanë të bëjnë me angazhimin për shtet unitar, mbrojtjen e rregullimit kushtetues, angazhimeve tona politike në periudhën parazgjedhore, Marrëveshjen e Ohrit, por edhe të Marrëveshjes së Përzhinës, gjë që ky koalicion deri në fund e ka respektuar ashtu sikur është nënshkruar dhe nuk kemi qëllim që ta ndryshojmë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Prej atje shtojnë se PSP është instrument politik në “duart e një qendre të fuqisë dhe instrument i brendshëm për shtantazhim të çdo politikanë i cili do të luftojë për interesat nacionale të popullit maqedonas dhe interesave shtetërore të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”.

“PSP është pullë e cila do të shtypet gjithmonë atëherë kur dikush do të guxojë të mos luaj ashtu sikur dikush nga jashtë ia servon dhe ia dikton. PSP është mjet me të cilin degradohet dhe mënjanohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit maqedonas. PSP është instrument për vazhdim të krizës dhe për mbajtje peng. Ajo ekziston për disciplimin të çdokujt që lufton për mbrojtjen e interesave nacionale dhe shtetërore. Moslejimi i vazhdimit të mandatit të PSP-së nuk është frikë, por guxim dhe mosbindje”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Përndryshe, Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim përmes një kumtese për media mbrëmë njoftoi se “ka marrë qëndrime të rrepta sa i përket negociatave për të hyrë në Qeveri”.