Gushti është muaji kur emigrantët kthehen për pushime në Shqipëri. Kështu, edhe pse ka pak ditë që ka nisur si muaj, numri i emigrantëve që vijnë në Shqipëri për pushime ka arritur pikun.

Rreth 11000 emigrantë dhe 4000 automjete kanë mbërritur përgjatë kësaj fundjave në portin më të madh të vendit. Mes tyre ka pasur edhe pasagjerë që e përdorin pikën kufitare të Durrësit si pikë transit, siç janë kosovarët dhe maqedonasit, por edhe shtetas të huaj.

Si rezultat i fluksit të madh të emigrantëve, tragetet po punojnë dopio–corse, çka do të thotë se pas zbarkimit të pasagjerëve në Durrës, nisen sërish në Bari-Trieste dhe Ankona për të sjellë pasagjerë.

Ndërkohë në portin e Durrësit po punojnë në kapacitet të plotë të gjitha sportelet e pikës kufitare të portit. Rreth 16 sportele janë vënë në dispozicion nga policia kufitare dhe dogana e Durrësit, ndërsa procedurat janë lehtësuar për të mos u krijuar dyndje para sporteleve.

Nisja e muajit gusht ka përkuar me rritje të fluksit të emigrantëve që kthehen për pushime në atdhe nga pika kufitare e portit të Durrësit. Pritet që në ditët në vijim të ketë një rritje edhe më të lartë të fluksit të pasagjerëve drejt portit më të madh të vendi.