Vetëm në kryeqytet numërohen mbi 150 qendra kursesh të gjuhëve të huaja apo të mësimdhënies së lëndëve specifike, ndërsa në Durrës, me dhjetëra të tilla. Ky ekspansion i bizneseve të përçimit të dijes tregon për kërkesat në rritje të mësimit të veçuar nga institucionet arsimore. Vendin e parë në hierarki e mban mësimi i gjuhës gjermane, trendi i së cilës mbështetet nga kërkesat për shkollim apo punësim në Gjermani…

Jurgen Amedani, 24 vjeç, pasi përfundoi studimet universitare pranë Universitetit të Tiranës për Teknologji Informacioni, vendosi të vazhdonte studimet e ciklit të dytë në Gjermani. I pyetur nga “Monitor”, ai e arsyeton kështu vendimin për të ikur jashtë. “Gjithmonë kam pasur dëshirë për të studiuar jashtë vendit dhe mbi të gjitha, kam synuar të krijoj përvojë në një vend të huaj të zhvilluar. Gjermania është vendi që ofron disa nga universitetet më të mira dhe njëkohësisht më ekonomike në tarifa, krahasuar me shtete të tjera perëndimore”, – thotë Jurgeni.

Dëshira për të ndjekur një master në Informatikë Biznesi në Universitetin e Manheimit, sipas Jugenit, nisi me një kurs gjermanishteje që ndoqi në Tiranë…Janë të shumtë të rinjtë shqiptarë që duan të marrin një edukim universitar jashtë Shqipërisë, ashtu sikurse edhe dëshirat për punësim jashtë kanë qenë në rritje. Universitet italiane janë destinacioni kryesor për studime dhe këtë e tregon fakti se përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha të studentëve të huaj në Itali. Afërsia gjeografike dhe lehtësia e gjuhës italiane mendohet të jenë dy nga faktorët kryesorë për këtë zgjidhje.

Ndonëse jo sa në Itali, një numër i konsiderueshëm të rinjsh shqiptarë kanë zgjedhur auditorët e universiteteve gjermane. Por, jo vetëm për studim. Gjermania është shndërruar në vendin më atraktiv për të rinjtë apo dhe grupmosha të tjera edhe për të punuar. Gjermania është një vend i hapur si destinacion emigrimi dhe ka interes për migrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, studentëve dhe shkencëtarëve nga e gjithë bota.

Pse gjermanisht?

Gjermania për arsye të cilësisë së formimit arsimor dhe tarifave relativisht të ulëta të studimit në krahasim me vendet e tjera perëndimore, mbetet tërheqëse për të rinjtë shqiptarë si një vend, ku mund të kryejnë studimet. Për grupe të ndryshme profesionesh si p.sh. mjekë, infermierë, inxhinierë, informaticienë etj., Gjermania ofron mundësi joshëse punësimi. Në këtë drejtim kërkohen si kusht njohuritë e gjuhës gjermane.
Sipas drejtueses së Qendrës Goethe në Tiranë, këto dy arsye të ndryshme kanë nxitur rritjen e kërkesave për të mësuar gjuhën gjermane. Trendi, sipas saj, tregon për një rritje 30% çdo vit.

“Numri i kurseve të gjermanishtes në Qendrën Goethe në Tiranë gjatë dy viteve të fundit 2017-2018 është rritur mbi 30%. Çdo vit kjo qendër numëron rreth 370 grupe me një rreth mesatarisht nxënësish, që mësojnë gjermanishten, ku një pjesë e konsiderueshme janë nga mosha 12 deri në 15 vjeç”, – thotë znj. Alketa Kuka.

Një arsye tjetër pse zgjidhet gjuha gjermane vitet e fundit? Një student duhet të ketë aftësi të mira të gjuhës gjermane për të studiuar në një universitet në Gjermani. Aplikuesit e huaj, në rastin konkret shqiptarët, duhet t’i nënshtrohen një testi të gjuhës para se të mund të regjistrohen në një program shkollor. Testet më të pranuara gjerësisht janë TestDaF dhe DSH. Testi TestDaF mund të bëhet edhe në vendet nga vijnë studentët të cilin e organizojnë institutet e licencuara gjermane, ndërsa testi DSH vetëm në Gjermani nga institucionet e universiteteve përkatëse.

“Të gjitha certifikatat e lëshuara nga Instituti Goethe janë të pranuara në të gjitha universitetet gjermane. Këto teste bëhen vetëm sa për t’u njohur me gjërat elementare të gjuhës gjermane, pasi që rreth përgatitjes së gjuhës për studime të rregullta, ju jepet kohë deri në dy vite për të arritur shkallën e duhur”,- thotë znj. Kuka.

Gjuha gjermane si profesion

Sipas të dhënave të ofruara nga Departamenti i Gjuhës Gjermane, pranë Universitetit të Tiranës, në ciklin e parë të studimeve bachelor, kuota përfshin 490 studentë për gjuhën gjermane, ndërsa në ciklin e dytë të studimeve master mbi 60 të tillë.
Sipas prof. Mihallaq Zileshiu, profesor i gjuhës gjermane prej më shumë se dy dekadash pranë Departamentit të Gjermanishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, numri i studentëve që zgjedhin këtë degë studimi është në rritje.

Tendenca ndër vite, sipas profesorëve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ka qenë drejt anglishtes dhe italishtes. “Kuotat u shtuan para tre viteve, duke marrë në konsideratë kërkesat në rritje të aplikimeve për gjuhë gjermane. Është e thjeshtë, gjuha gjermane bëhet më shumë në shkolla të mesme, qoftë publike apo private; qendrat e gjuhës janë përhapur me shpejtësi, apo të rinjtë synojnë të punojnë edhe në Gjermani. Të gjitha këto arsye e kanë shndërruar gjuhën gjermane në zgjedhje të mirë si profesion”, – thotë prof. Zileshiu.

Thirrjet për punësim nxisin kurset private

Alisa D. është mësuese e gjuhës gjermane prej 7 vitesh në Tiranë, në një qendër private kursesh. Sipas saj, në 7 vite shihet një rritje e ndjeshme e interesit për gjuhën gjermane dhe për të gjitha shtetet gjermanofolëse. “Para shumë vitesh, tendenca më e dukshme ka qenë ajo e njerëzve që për bashkime familjar kërkonin të mësonin gjuhën gjermane fillimisht në Shqipëri. Ose edhe e të rinjve për studime në këto shtete. Ndërsa në 4 vitet e fundit, vihet re se kërkesat për të marrë mësime gjuhe është rritur shumë, gjë që përkon me thirrjen publike të shtetit gjerman për nevojën shtetërore për inxhinierë, mjekë, infermierë etj.”,- thotë Alisa. Sipas saj, edhe çmimet kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit.

“Grupmosha që kryeson për ndjekjen e kurseve është 25-40 vjeç, pra të rinjtë për studime, ose familjarët për bashkime familjare. Por nuk përjashtohen edhe mosha më të vogla”, – pohon Alisa. Sa u përket niveleve të gjuhës që ndjekin shqiptarët, ajo thotë se kryesisht ata që duan të vijojnë studime pasuniversitare në një shtet gjermanishtfolës ndjekin të gjithë nivelet, pjesa tjetër kryejnë vetëm një nivel që është i mjaftueshëm për dokumentacionet e nevojshme.

Sa kushton shkolla dhe jetesa në Gjermani

Gjermania me 190 000 studentë të huaj në vit, zë vendin e tretë në botë për sa u përket studentëve që vijnë nga vendet e ndryshme të botës, shifër kjo, e cila është në rritje. Edhe shumë studentëve shqiptarë u janë hapur dyert në Universitetet më të njohura gjermane. Ata janë kryesisht të orientuar në qytetet kryesore, Berlin, Hamburg, Mynih, Shtutgart, Dyseldorf etj.

Informacione nga Ambasada Gjermane të orientojnë për koston e studimeve dhe jetesës atje. Sipas tyre, pagesa e një programi studimi, varet nga vendi dhe universiteti. Secili land mund të vendosë vetë për këtë. Në vendet si Bayern, Hamburg, Niedersachsen dhe Nordrhein-Westfalen, ende aplikohen taksat për student. Kjo vlen për shumicën e studentëve dhe është në shumën e përafërt 500 euro për semestër.

Të gjitha landet e tjera nuk parashohin taksa për student apo në ndonjë rast vetëm pas zgjatjeve të studimeve apo për studim dytësor. Ata që janë të interesuar për një studim privat në shkolla të larta profesionale, do të duhej të llogarisin taksa shumë më të larta. Ky është nga shkaku që shkollat e larta profesionale financohen vetëm nga taksat e studentëve dhe për këtë, edhe janë më të larta. Krahas taksave për student në Gjermani është edhe pagesa për semestër.

Kjo përcaktohet nga secili student dhe mbulon shpenzimet administrative, si dhe financimi i mensës, ambienteve sportive dhe banimin. Sa i përket jetesës, ekspertët dhe përvoja e atyre që jetojnë atje, kanë treguar se 6’500 euro në vit janë të mjaftueshme për një jetë modeste të një studenti. Pra, nga çdo aplikues për një vizë studimi, Ambasada Gjermane kërkon garancinë që ai ose ajo është në gjendje të mbajë veten, minimumi është 6500 euro, si dhe vlefshmërinë e diplomave.