gaz11_0

Duket se pas skandalit të shpërthimit në Marinzë tonet e qeverisë shqiptare me gjigantin e naftës “Bankers Petroleum” janë rritur ndjeshëm. Vetë kryeministri shqiptar Rama sulmoi ashpër këtë të mërkurë kompaninë dhe korit të tij i’u bashkuan edhe dy deklarata gjithashtu të forta të dy anëtarëve të tjerët të kabinetit, Tahiri dhe Koka.

Po çfarë fshihet pas tyre?

Lapsi.al është munduar të mësojë jo vetëm për dëmet që pësuan banorët e zonës së Marinzës. Jo vetëm për ajrin e helmuar që raportojnë shumë media. Jo vetëm për faturën financiare të shpërthimit të këtij fillimprilli. Por gjithashtu edhe për betejën ligjore që po zhvillohet nën rrogoz mes qeverisë shqiptare dhe një gjiganti që pretendon se derdh në arkat e shtetit rreth 50 milionë USD në vit. Por le t’i marrim çështjet me radhë.

Kryeministri Rama deklaroi sot, në një fjalim që i ngjante herë pas here atyre të Enver Hoxhës, që demaskonin imperialistët amerikanë që shfrytëzonin pasuritë e vendeve të botës së tretë, se për atë që ka ndodhur, “përgjegjësia është 100% e kompanisë dhe ajo duhet të dëmshpërblejë 100% të dëmtuarit, një orë e më parë dhe duhet ta bëjë sipas standardeve ndërkombëtare”. Deri këtu gjithcka është OK-ej. Por gjuha e përdorur e kalon llogarikërkimin e një kryeministri: “nëse një i huaj bën biznes në Shqipëri, nuk mund të trajtojë asnjë shqiptar sikur të jetë një qenie e dorës së dytë”, tha Rama. Ai u zotua gjithashtu: “Do kërkojmë një audit të specializuar ndërkombëtar, siç ndodh në çdo vend demokratik, duke mbrojtur interesat e vendit dhe të qytetarëve siç ndodh sa herë që kompanitë e naftës bëjnë çudirat e tyre, edhe në vende shumë më të sigurta se sa vendi ynë”.

Po në të njëtën gjatësi vale u shfaq edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri: “Policia e Shtetit bashkë më Prokurorinë, nisën procedimin penal duke besuar fort që shfrytëzimi i pasurive natyrore të Shqipërisë ka të bëjë drejtpërdrejtë me jetën e qytetarëve”, deklaroi ai.

Ndërsa ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili shkoi sot në Marinzë, foli në emër të qeverisë duke thënë se “mund të rishikojë kontratën koncensionare të kompanisë “Bankers Petroleum”.

E pra me sa duket këtu fle lepuri. Çështja tanimë nuk është vetëm tek rimbursimi i dëmeve, por tek rishikimi i qëndrimit të “Bankers Petroleum” në Shqipëri.  Dhe në fakt duket se shumë kohë përpara sesa të shpërthenin uji dhe gazi në Patoz Marinzë qeveria e majtë ka menduar për një plan të prishjes së kontratës me “Bankers Petroleum”.

Që në pranverën e vitit të kaluar, sipas gazetës pro qeveritare “Dita”, kabineti Rama ndërmori hapin e parë për të anulluar kontratën me “Bankers Petroleum”.  Në këtë periudhë (17 prill 2014) Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore i ka dërguar ministrisë së Drejtësisë si dhe Avokaturës së Shtetit, një shkresë ku i kërkon gjetjen e një kompanie konsulente e cila të ketë eksperiencë në fushën e arbitrazhit, pasi çështja e anulimit të kontratës pritej të përfundonte në drejtësinë ndërkombëtare.

U organizua puna, u planifikua një tender të cilin ashtu sikurse pritej e fitoi një kompani angleze e quajtur: “Omnia Strategy LLP”. Ajo nuk qe as më pak as më shumë sesa kompania me Presidente dhe drejtuese Cherie Blair, gruan e ish kryeministrit britanik, këshilltar aktual pa pagesë i Edi Ramës. Kompania e Cherie Blair u pagua rreth 20 mijë euro për të kryer këtë studim, por përfundimet e tij që duhet të shpalleshin që në korrik të vitit të kaluar ende nuk janë bërë publike. Se çfarë ka këshilluar “Omnia Strategy LLP” kjo ende nuk dihet. A e ka parë ajo si të mundshme idenë e fitimit të konfliktit në arbitrazh? Apo i ka këshilluar qeverisë shqiptare që mos i hynte më kot betejës ligjore se e kishte të humbur këtë proces? Fakti është që këshilla 20 mijë euroshe e kompanisë të Cherie Blaire u kyç në sirtar. Ajo që dihet me siguri është se “Omnia Strategy LLP” u njoh me kontratën, e cila siç ishte firmosur nga të dyja palët duhej mbajtur Top Secret.

Vetëm këtë të mërkurë lajmet e “Vizion Plus”, që kanë arritur ta sigurojnë për herë të parë kontratën, bëjnë të ditura detaje të saj, e cila në pamje të parë duket skllavëruese. Kontrata favorizon kompaninë jo vetëm në taksa, por edhe në dëmet që i shkakton banorëve dhe mjedisit. Nenet e kontratës nuk krijojnë asnjë mundësi që institucionet shtetërore të vendosin minimalisht një gjobë të vetme ndaj kësaj kompanie. “Në rast fontatimi, aksidenti ose emergjence tjetër, kontraktori do të marrë të gjitha hapat e menjëhershme për ta sjellë situatën emergjente nën kontroll dhe të mbrojë kundrejt humbjes së jetës ose dëmtimit të pasurisë”, thuhet në kontratë. Një tjetër favorizim që është bërë ndaj “Bankers” janë edhe taksat. Kompania ka të drejtë që të blejë çdo pajisje apo produkt i cili i nevojitet për të kryer operacionet e kërkimit dhe shitjes së naftës jashtë, pa paguar taksa doganore dhe tatimore. Po ashtu, qeveria ose parlamenti nuk mund të marrë dot asnjë hap në ndryshimet e barrës që duhet të tatohet ky koncesionar pa dhënë ai më parë dakordësinë.

Këto janë disa nga nenet tejet enigmatike të kontratës që ka zbuluar sot “Vizion Plus”. A mos vallë është kjo kontratë e mbajtur Top Secret për një dekadë ajo që qeveria shqiptare ka dashur të anullojë shumë më parë sesa të ndodhnin shpërthimet e Marinzës? A mos vallë për ta ndihmuar largimin e saj nga Shqipëria u thirr në ndihmë zonja Blair dhe kompania e saj “Omnia Strategy LLP”? Të gjitha këto mbeten ende mister për sa kohë ne nuk kemi të zbardhur as kontratën e qeverisë shqiptare të vitit 2004 dhe as raportin që ka dorëzuar verën që shkoi “Omnia Strategy LLP”. Por ajo që mund të thuhet është se ngritja e zërit nga kryeministri këtë të mërkurë, që u ndoq edhe nga dy anëtarë të tjerë të kabinetit, nuk qe aq e rastësishme. Ajo ndoshta nuk qe as vetëm si reagim ndaj dhimbjes së banorëve të Patoz Marinzës. Ndoshta qeveria po shkon drejt një konflikti të hapur me një kompani që i ka dhënë buxhetit të shtetit, afro 500 milionë dollarë qëkurse është krijuar.