rama-meta_6
Sulmet e Partisë Socialiste ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim duken të koordinuara. Prej tre ditësh, për çdo ditë, përfaqësues të ndryshëm të PS –së e kanë drejtuar gishtin nga LSI si përgjegjëse e humbjeve të disa bastioneve të së majtës. Pas Artan Shkëmbit në Pogradec, kreut të degës së PS në Mallakastër, një tjetër akuzë ndaj LSI vjen nga deputeti Arben Ndoka. Ai, i pyetur nga Shqiptarja.com ia ka faturuar humbjen në Lezhë plotësisht LSI. “Një ndër faktorët e humbjes është keqpërdorimi i posteve publike nga drejtorët e LSI, që nuk kanë përfillur anëtarët e PS”, është shprehur Ndoka. Ndërsa në Pogradec e Mallakastër, përfaqësuesit e PS ua faturuan përgjegjësinë kandidatëve të LSI, të cilët i konsideruan të papërshtashëm. Në mesin e këtyre sulmeve, kryetari i LSI, Ilir Meta, shfrytëzoi një takim me të rinjtë e LRI në Jalë, për t’u thënë aleatëve se fitoren në bashkitë e mëdha, PS e pati nga kontributi i partisë së tij. Ai përmendi në mënyrë të veçantë bashkinë e Tiranës, të fituar nga Erion Veliaj.