Maxhoranca do të mblidhet sërish e vetme ditën e sotme në seancë plenare, ndërkohë që opozita do të jetë e fokusuar jashtë Parlamentit në prezantimin e platformës ekonomike. Deputetët e maxhorancës do të mblidhen sot në seancë për diskutimin e tre projektligjeve.

Sipas rendit të ditës, deputetët e PS-së do të diskutojnë në Parlament në lidhje me një ndryshim në projektligjin “Për sektorin e gazit natyror”, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore’ dhe për projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktin e Gjenevës të marrëveshjes së Lisbonës për emërtimet e origjinës dhe treguesit gjeografikë”.

Me sallën e boshatisur në radhët e opozitës, edhe seanca e sotme pritet të zgjasë fare pak dhe pa debate. Kjo do të jetë seanca e pestë në të cilën opozita do të mungojë në Parlament, ndërkohë që çdo të enjte ka zhvilluara seanca paralele në të gjitha qytetet ku, sipas tyre, dominon krimi.

Ndërkohë, në rendin e ditës për seancën e sotme në Parlament vijojnë të mbeten të mbartura ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, siç është projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’” dhe projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin ‘Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë’”.