rama-meta01_0
Vetëm një ditë pasi Artan Shkëmbi ia faturoi humbjen në Pogradec LSI –së, një tjetër shigjetë socialiste është hedhur në kampin LSI –st. Kryetari i Partisë Socialiste të Rrethit të Mallakastrës, Pajtim Ismaili e sheh kandidaturën e propozuar nga LSI, Shyqyri Kapllanin, si shkakun e humbjes së bashkisë së Mallakastrës. “90 % e socialistëve të Mallakastrës kanë qenë kundër kandidaturës së propozuar. Kryesia e PS e ka kundështuar deri ditën e fundit kur kandidaturat u zyrtarizuan”, është shprehur për gazetën Shqip kreu i PS.

Një ditë më parë ish –kryetari i bashkisë së Pogradecit për 3 mandate radhazi, Artan Shkëmbi, duke komentuar humbjen e së majtës në Pogradec tha se shkak për rezultatin ishte kandidatura e dobët e përzgjedhur dhe organizimi i dobët i fushatës.

Kandidatja e LSI, Diana Mile, nuk ka vonuar dhe i është kundërpërgjigjur duke e akuzuar se ka bërë pazare me PD. “Kjo kandidaturë ishte e papërshtatshme për pazarxhinjtë e Pogradecit, përfshi edhe ish –kryetarin që u bë personi shkaktar i betonizimit të qytetit”, thotë Mile duke folur edhe për një tjetër bashkëpunim mes Shkëmbit dhe kryetarit të ri të bashkisë, Eduard Kaprit, atë në fushën e ndërtimit, përmes zaptimit të hapësirave publike.

Pazaret sipas saj kanë vijuar edhe në këshillin bashkiak: “Nëse ish –kryetari aludon për kandidaturën time, përse kryetarja e Këshillit Bashkiak mori vetëm 16 vota nga 21 këshilltarë të koalicionit të majtë?” shprehet për gazetën Panorama, Diana Mile.

LSI foli për një pazar “si ai i Roskovecit” menjëherë pas humbjes së bashkisë së Pogradecit, duke e drejtuar gishtin nga aleatët e PS. Dyshimet e LSI se ishte prerë në besë nga PS jo vetëm në këtë bashki, por edhe në Lezhë apo Vorë, u bënë shkak për ftohjen e marrëdhënieve mes Ramës e Metës. Akuzat e bazës së PS ndaj LSI se ishte ajo shkaktarja e humbjes së disa bastioneve të së majtës vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta janë në kuotën e tyre më të ulët.