Olta-Xhacka-PS-e1430406460745
Partia Socialiste thotë se opozita kërkon të marrë pushtetin me thirrje për revolucion. Deputetja Olta Xhaçka tha se shtypi i ditës ka nxjerrë sot fakte që nuk duhen anashkaluar.

Një ditë para protestës së opozitës ka reaguar Partia Socialiste përmes deputetes Olta Xhaçka e cila ka thënë se PD po bën thirrje për revolucion. Ajo iu referua deklaratave të deputetes Albana Voksha që i bëri ultimatum Ramës. Sipas Xhaçkës thirrje të tilla janë skandaloze.

“Një deputete e Partisë Demokratike i bën sot një ultimatum Kryeministrit të vendit, të cilit i bën thirrje të largohet nga vendi brenda 24 orëve, në të kundërt do të shpallet non grata. Nga njëra anë duan të marrin me çdo kusht pushtetin, nga ana tjetër i frikësohen reformave të kësaj mazhorance që synojnë rimëkëmbjen e shtetit, e sidomos i frikësohen reformës në drejtësi, të cilën me sa duket duan me çdo kusht ta bllokojnë”, tha Xhacka.

Deputetja e PS-së shtoi më tej se opozita kërkon të destabilizojë vendin.

“Rruga që Partia Demokratike ka zgjedhur për të tentuar destabilizimin e vendit, për të organizuar turbullira dhe protesta të dhunshme mu në prag të festave të fundvitit, është përmes parasë së pisët dhe blerjes së njerëzve më në nevojë. Pas kësaj dëshmie, ku e gjejnë kurajon përfaqësues te Partise Demokratike qe bëjnë thirrje për revolucion? Në emër të kujt flasin deputete si Albana Vokshi, Arben Ristani apo Edi Paloka për ultimatume? Që gjoja revolucioni i Shqupit është një sajesë egoiste e kupton çdo shqiptar”, përfundoi Xhacka.