Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaron se forca e tij politike do t’i bashkëngjitet protestës së banorëve të zonës që njihet si “Astiri” në kryeqytet që kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre nga projekti i Unazës së Madhe të Tiranës.

Banorët prej thuajse një muaji kërkojnë që të dëmshpërblehen 100 % ndërsa autoritetet qendrore dhe vendore kanë deklaruar se në kushtet kur banesat janë të palegalizuara e të palegalizueshme, ajo që do t’u ofrohet është bonus qiraje për disa vite dhe procedura të thjeshtuara për strehim social.

“Po dëmtohen interesat e qytetarëve. Po mbushen pothuajse 4 javë dhe do të jemi në krah të qytetarëve. Ata janë të braktisur nga qeveria e të mashtruar për premtimet për legalizim falas. Do të jemi këtu në krahun e tyre, në këtë qëndresë të drejtë për të mbrojtur strehën e fëmijëve të tyre” tha Basha ndërsa banorët vijonë protestën e tyre.