basha proteste

Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas padisë së Policisë së Shtetit ditën e shtunë. Policia e Tiranës i ka referuar materialet proceduriale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të kryetarit të PD, Lulzim Basha, për thirrje publike për veprime të dhunshme.

Kryetari i PD ndodhet në kushtet e veprës penale, pasi neni 223 i Kodit Penal sqaron se thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim në tre vite.

Në komunikatën për shtyp të policisë thuhej se “në datë 24 shkurt 2017, rreth orës 12:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në çadrën e ngritur, z.Basha, në fjalën e transmetuar drejtpërdrejt në media, ka bërë thirrje nxitëse ndaj qytetarëve të reagojnë dhunshëm ndaj institucioneve shtetërore“.

Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat…… ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh...”, citohet Basha.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal, i cili parashikon “Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.