Prokuroria-e-Durresit
Prokuroria e Durrësit nis hetimet për listën e zgjedhësve në Durrës, që dyshohet se është shtuar fiktivisht me 2800 banorë të rinj. Hetimet nisën pas kallëzimit të PD-së dy javë më parë, ndërkohë që ka edhe një raport nga auditi i KQZ-së për këtë cështje.

Prokuroria e Durrësit ka dërguar rreth 600 fletë-thirrje në kuadër të këtij procedimi, nga të cilat janë pyetur rreth 60 persona banues në zonën e Plazhit, kryesisht ata që pretendohet që kanë dhënë me qera ambjente dhe shtëpi për shtetas nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Nga pyetja e këtyre personave, rezulton se ata nuk kanë dhënë shtëpi apo ambjente banimi me qera. Ndërkohë që hetimet po vijojnë, u krijuan dyshime të arsyeshme nga pyetja e këtyre personave se kontratat e qerasë janë fiktive.

Për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit kërkoi në gjykatë kërkesën për caktimin e masës “pezullim nga detyra” për shtetasit Alfred Dhuli, drejtor i ndërmarrjes komunale të Plazhit, Bashkia Durrës dhe I. A., notere në Durrës, të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “fallsifikimit të dokumentave nga personat që kanë për detyrë t’i hartojnë ato. Kjo kërkesë e Prokurorisë u pranua nga gjykata. Në argumentat e saj, Prokuroria kërkonte caktimin e masës, për faktin se kontratat e qerasë për 2800 personat, të dyshuara si fiktive, ishin nënshkruar nga drejtori Dhuli, të noterizuara nga noterja Aleksi.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve proceduriale, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar në gjykatë sekuestrimin e listës së regjistrimit të këtyre personave në Regjistrin e Gjendjes Civile të Bashkisë Durrës. Kërkesa për sekuestrimin e kësaj liste është pranuar sërish nga gjykata. Në këto kushte, këta persona, nëse nuk janë regjistruar në listën e votuesve, nuk duhet të regjistrohen në Durrës.

Por, në momentin që është bërë kallëzimi dhe ka nisur hetimi, 2800 personat e regjistruar fiktivisht ishin të përfshirë në listat e votuesve të qytetit Durrës dhe për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit i ka dërguar njoftim Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i hequr nga lista e votuesve, si edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për t’i hequr nga lista e banorëve të qytetit Durrës.