arbenfrroku

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë pretencën në gjyqin kundër Arben Frrokut, vëllait të deputetit të mazhorancës, Mark Frroku, që akuzohet si autor i vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt. Akuza kërkoi dënimin e tij me burg përjetë. Ka disa prova, që sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda vërtetojnë autorësinë e Arben Frrokut në krimin e ndodhur mbrëmjen e 23 shkurtit të vitit 2013 në zonën e “Vasil Shantos”, në Tiranë.
Prova e parë është dëshmitari okular Flamur Vladi, i njohur me emrin Arben Ndoka, për shkak të hetimit. Identiteti i tij u dekonspirua pak muaj më parë nga vetë policia kur publikoi lajmin se makinës së tij i ishte vendosur eksploziv në një servis.
Arben Ndoka ka treguar se jo vetëm e ka parë momentin kur Frroku ka qëlluar nga një makinë tip BMË me breshëri automatike ndaj kryekomisar Lamajt, që ndodhej në makinën e tij tip Lancia. Por ai ka dhënë detaje se si ishte njohur më parë me të akuzuarin. Flamur Vladi ka thënë se ka punuar pranë familjes Frroku në fushatën elektorale të vitit 2009, me deputetin aktual të mazhorancës, Mark Frrokun.
Ai ka treguar edhe detaje të tjera. Ka përshkruar me imtësi veshjen që Frroku mbante ditën e krimit, një pallto të zezë, çka është verifikuar edhe nga kamerat e sigurisë së pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, pak më shumë se dy orë pas krimit, ku Frroku kishte kaluar për në shtetin fqinj. Arben Frroku u arrestua në Selanik pak orë pas krimit. Ai ka mohuar ta ketë vrarë kryekomisar Lamajn. Si alibi paraqiti faktin se afro 2 orë e 40 minuta pas vrasjes së Lamajt ai kishte kaluar në Kapshticë dhe nuk mund të kishte qenë në Tiranë në momentin e krimit. Por Gjykata për Krimet e Rënda bëri një eksperiment pak ditë më parë me të njëjtën makinë që kishte udhëtuar Frroku, në të njëjtin orar dhe të njëjtat kushte atmosferike dhe e përshkoi distancën afro 15 minuta më shpejt sesa e kishte bërë Arben Frroku.
Avokatët mbrojtës nuk e kundërshtuan provën, por sot thanë se dëshmitari okular është njeri i paguar për të dëshmuar kundër Arben Frrokut.
Prokuroria pretendon se Arben Frroku e ka vrarë kryekomisar Dritan Lamajn pasi kishte patur disa herë konflikte me të, gjatë kohës që Lamaj kishte qëne shef i komisariatit nr 6 në zonën e Kombinatit, ku Frroku kishte disa biznese të tij.