I ndrojtur, jo shumë i zoti me fjalët, por shumë i aftë me këmbët, Luka Modric do të mbahet mend si njeriu që theu dominancën botërore të një dekade nën diktatin e Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Zgjedhja e Modriçit është sinjali i duhur, se futbolli pranon diversitetin: kroati nuk është ekzaltues dhe i furishëm para portës si dy më të famshmit e sportit, por është gjithë botëkuptimi i lojës (strategji, vizion, taktikë) brenda një lojtari të vetëm. “Lojtari Modriç simbolizon modernen e futbollit të sotëm”, thonë ekseprtët. “Modriçi nuk është ndonjë lojtar mendjemadh. Ai është në radhë të parë një Teamplayer, zemra e ekipit, motori i tij”, thotë Aleksander Holiga, i portalit kroat Telesport.

Me 753 pikë, 277 përpara vendit të dytë te Cristiano Ronaldo, Modric vetëm sa përmbushi pritshmëritë e të gjithë atyre që dëshironin të shihnin shtatshkurtrin në fronin individual të botës: të shihnin lojtarin që më pak se të gjithë i ngjan imazhit modern të lojës.

Topi i Artë / Luka Modric i jep fund hegjemonisë Messi-Ronaldo

Pa asnjë tatuazh. Pa rrëfime të shumta në gazetat rozë. Pa krehje të jashtëzakonshme, por me një model flokësh nga e kaluara. Nga jeta private e tij dihet shumë pak, që në futbollin modern duket sikur të jetë një person jashtë kohës.

Kapiteni i Kroacisë me një gjatësi prej vetëm 1,72 metra duket i tërhequr, flet rrallë dhe nuk ka dëshirë të dalë shpesh para kamerave televizive në konferencat e shtypit. Jashtë fushës së futbollit ai me dëshirë jeton i tërhequr. E ka të vështirë të flasë për veten, pati deklaruar njëherë për gazetën gjermane “Die Welt”.

Por në fushë ai është lider. “Lufta dhe jeta në kampet e refugjatëve, më kanë forcuar”, deklaroi Luka Modriç njëherë për media. Në fillim të luftës së Kroacisë, në vitin 1991 ai u detyrua të largohet nga fshati i lindjes, së bashku me familjen. Një hap që e ka forcuar për t’u përballur sot me sukses edhe në konkurrencën e një ekipi si Real Madridi.