bujar-nishani-cover_1493705624-679625

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaron se nuk do të votojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në një intervistë për gazetarin Enkel Demi, në emisionin “Fol me mua” në RTSH, Nishani deklaroi se nëse opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, nuk do të ketë një alternativë me të cilën shqiptarët të përzgjedhin mes tyre.
Presidenti Nishani deklaroi se nëse do të kemi zgjedhje vetëm me maxhorancën, pa pjesëmarrjen e opozitës, institucionet që do të dalin nuk do të kenë legjitimitet kushtetues.
Do të shkojë Presidenti më 18 qershor të votojë në zgjedhje?

Unë, përpara se të jem President i Republikës, jam qytetar. Si qytetar, kam parimet e mia, kam bindjet e mia, kam gjykimet e mia dhe një nga parimet kryesore janë ato që lidhen me lirinë. Jetësore në një sistem politik janë zgjedhjet, është liria. Votimet janë procedura, përmbajtja janë zgjedhjet. Në momentin që unë nuk kam alternativë për të zgjedhur, unë nuk mund të bëhem pjesë e një procesi normal procedure votimi. Votimi si procedurë është për të dhënë të drejtën e zgjedhjes. Nëse kemi vetëm një palë që ofron mundësinë e saj dhe nuk ke mundësi zgjedhjeje, unë si qytetar e kam shumë të vështirë që të shfrytëzoj procedurën e votimit, kur nuk kam mundësinë e zgjedhjes.

Në zgjedhje janë regjistruar 17 parti politike, që do të thotë se janë 17 alternativa?

Unë vërtet respektoj çdo parti dhe çdo individ, por ne e kemi provuar dhe le të themi që prova më e fundit ishin zgjedhjet vitit 2015. Para dy vitesh, partitë politike janë matur dhe janë vlerësuar. Në këto zgjedhje kishim alternativën e maxhorancës dhe atë të opozitës. Këtë çështjen e identifikimit e kanë zgjedhur qytetarët. Aktualisht deri në këto momente, në procedurën e votimit është vetëm një alternativë, nuk ka një alternativë të dytë. Ndaj unë do t’i respektoj parimet për të cilat u përpoqëm që të fitonim në vitin 1992, për të pasur mundësi zgjedhjeje.

Kjo do të thotë që ju nuk do të merrni pjesë në zgjedhje?

Nëse nuk ka mundësi për të zgjedhur, për çfarë duhet procedura? Unë shkoj për të kontribuar për fatet e vendit dhe fatet e vendit në një sistem demokratik jetësohen përmes alternativës dhe mundësisë së zgjedhjes. Në momentin që mungon alternativa, nuk ekziston mundësia për të zgjedhur, procedura do të bëhet e pavlefshme.