adriatiku_3
Presidenti i Republikës nuk ia dekretoi Adriatik Llallës emrin e Ramadan Trocit. Kryeprokurori ia kishte dërguar emrin e tij si anëtar të njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Lapsi.al njoftoi një ditë më parë se kërkesa e Llallës ka ngritur shumë dyshime brenda prokurorisë për procedurën e ndjekur ashtu edhe për emrat që ai kishte përzgjedhur për këtë njësi, pasi ata kanë disa problem.

Ramadan Troci ishte i pari ndër 4 emrat që Adriatik Llalla kërkonte t’i sjellë në Tiranë në njësinë Antikorrupsion. Ai është aktualisht i komanduar në prokurorinë e Vlorës. Frika se reforma në drejtësi mund të prekë mjaft prokurorë të përfolur se kanë vepruar nën urdhëra politikë duket se është arsyeja e përfshirjes së tij në listën e Llallës, për t’i gjetur një vend të sigurtë në një njësi që Llalla kërkon të ringrejë pas shkrirjes së saj, në një kohë kur debati për Byronë Kombëtare të Hetimit është rihapur.

Troci është një ndër prokurorët e afërt me kryeprokurorin Llalla. Firmën e tij mbajnë urdhërat e arrestimit të Shpëtim Gjikës dhe ish –Guvernatorit Ardian Fullani. Ky i fundit fitoi pafajësinë në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Në Gjykatën e Lartë ishte vetë prokuroria, që mesa duket për mungesë provash, nuk i bëri rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit që e shpalli të pafajshëm Fullanin, ashtu si gjykata e Shkallës së Parë.

Motivi i refuzimit të Trocit nga presidenti Nishani është i panjohur. Por lapsi.al mësoi se emri i tij, bashkë me atë të Arenc Çelës, Sonila Domi e Pranvera Hoxha kanë dalë nga Këshilli i Prokurorisë, një organizëm ky që në fakt nuk ka kompetenca emërimesh.

Arenc Çela, që aktualisht mban detyrën e prokruorit të rrethit në Lushnje, ku dikur ka punuar edhe vetë Llalla, është nipi i Maksim Çelës, i dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda si pjesëtar i “bandës” së Lushnjës të drejtuar nga Aldo Bare. Ai është edhe bashkëshorti i gjyqtares Arbena Ahmeti, vëllai i së cilës është Dardan Ahmeti që, bashkë me Sajmir Bajramin, pritën dhe shoqëruan pilotin italian Giorgo Riformato nga Rinasi në Tiranë.

Sonila Domi rdhëroi ndalimin e ish kreut të Inteprolit, të cilin e liroi gjykata duke e cilësuar veprim të paligjshëm arrestimin e tij.

Pranvera Hoxha është e motra e kryetarit të Unionit të Gjyqtareve të Shqipërisë, Gerd Hoxha