Presidenti i Republikës, Ilir Meta, tha dje se ai do ta japë autorizimin për të nisur negociatat për çështjen e detit me Greqinë, por vetëm kur të bindet se po krijohet një platformë e qartë negocimi. I ftuar në emisionin “Real Story” në Vizion+ të gazetarit Sokol Balla, Meta tha dje se marrëveshja me Greqinë duhet të mbyllet njëherë e mirë.

Ai tha se është në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Jashtme, ndërkohë që takimin me Ramën e ka quajtur “tepër bashkëpunues”, lidhur me çështjen e detit. Dje, Presidenti foli edhe për dekretin e kreut të SHISH, teksa tha se në kohën e Visho Ajazit ky institucion ka qenë më bashkëpunues dhe larg ndikimit politik.

“E rëndësishme është që SHISH përmbush detyrat e veta çdo ditë. Unë pres që SHISH të vazhdojë të forcojë luftën kundër krimit të organizuar. Nuk besoj se kjo ka penguar për të arritur rezultate më domethënëse në goditjen dhe parandalimin e këtyre grupeve kriminale. Mbetet shumë për të bërë nga SHISH. Ka bërë më shumë në të kaluarën në raport me institucionet e tjera, kanë qenë padyshim më aktivë gjatë kohës së drejtimit të zotit Visho Ajazit. Këtu kam parasysh raportet me Policinë e Shtetit dhe në raport me Prokurorinë, por mbetet ende për të vlerësuar vendosmërinë për të forcuar më tej këtë institucion me ketë prioritet dhe për të garantuar pavarësinë e tij në të ardhmen.” – tha Meta.