Intervistën e parë, Meta e ka dhënë po këtë ditë për emisionin “Top Story”, rreth një orë pas përfundimit të ceremonisë së marrjes së detyrës në Presidencë.

Në Top Story me Sokol Ballën Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se është detyrim kushtetues dhe qytetar bashkëpunimi me të gjithë faktorët e tjerë politikë, përfshirë këtu edhe Edi Ramën.

“Që nga ora 18:00 ka lëmë 25 vitet e mia parlamentare, politike dhe partiake dhe në këtë detyrë do të jem bashkëpunues me të gjithë, detyrim kushtetutes dhe qytetar dhe jam i hapur për të bashkëpunuar me zotin Rama dhe me gjithë aktorët e tjerë. Është detyrë e imja”, – tha Presidenti Meta.

Meta tha se LSI-ja i takon të shkuarës dhe se pas marrjes së detyrës, ajo për të është si gjithë partitë e tjera.

“Dje ishte dje, sot është sot. Aq më tepër që për mua, nga dita e sotme, pas orës 18:00, ka një ndryshim institucional dhe cilësor. Unë jam i përqendruar në këtë detyrë me shumë përgjegjshmëri dhe në respekt të Kushtetutës. Por sa për këto historitë me LSI-në duhet të përsëris se kur është krijuar LSI-ja është përcaktuar në statut që kryetari nuk duhet të rrinte më shumë se 2 mandate. U tejkalua dhe sikur të mos ndodhte zgjedhja president, qëndrimi im në krye të LSI do të kishte përfunduar. Tani jam i përqëndruar në një detyrë të re.” – tha ai.