Do të mjaftonte që të gjithë këshilltarët e PD-së dhe LSI-së të bojkotonin mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe për qytetarët e Tiranës çmimi i ujit do të mbetej i njëjtë. Të paktën përkohësisht. Kjo pasi 25 këshilltarët e PS-së, 3 të PDIU-së dhe 1 i FRD-së së Bamir Topit nuk do të plotësonin dot 31 kartonët e nevojshëm për kuorumin e hapjes së mbledhjes.

Mbledhja ishte thirrur për në orën 18.00 të së mërkurës, por ajo nuk po niste. Ishte e qartë që po punohej në parapaskenë. Ndërsa një grup qytetarësh protestonin para bashkisë, kryetari i këshilltarëve të PD-së Nard Olli u bënte thirrje kolegëve të LSI-së të mos merrnin pjesë në mbledhje për të bërë të pamundur nisjen e saj. Mbledhja nisi gati një orë më pas.

2 prej këshilltarëve të LSI-së u ulën në vendet e tyre. Agim Kraja dhe Genta Mezini që po të mërkurën bëri betimin si anëtare e këtij këshilli dhanë votën e tyre “pro” rritjes së çmimit të ujit të pijshëm për kryeqytetasit duke plotësuar numrin magjik “31” të votave të nevojshme për të marrë vendim. Lapsi.al i paralajmeroi dritë-hijet që rrethonin mbledhjen e së mërkurës mbrëma (lexo më poshtë në rubrikën për këtë temë).

Por a janë Kraja dhe Mezini dy tradhtarë të LSI-së? Zv.kryetari Luan Rama komentoi në telefon për Neës24 vendimin duke këmbëngulur se Kraja nuk ishte prej kohësh pjesë e LSI-së dhe se Genta Mezinin “nuk e njihte” megjithëse ishte bërë pjesë e këshillit bashkiak prej listës së partisë së tij. Rama përsëriste se LSI nuk e kishte votuar vendimin për rritjen e çmimit të ujit. 11 këshilltarë të LSI-së nuk hynë në sallë, por Veliajt i mjaftonin vetëm 2 vota. Pas marrjes së vendimit nuk pati asnjë deklaratë nga LSI për ndonjë masë për dy këshilltarët që kishin dalë nga rreshti dhe kishin vepruar kundër vendimit politik.

Vetë Agim Kraja deklaroi hapur në mbledhje të këshillit mbështetjen për draftin. Ai foli në emër të LSI-së madje përmendi edhe takimin që patën këshilltarët e LSI-së një ditë më parë me Erion Veliajn. Pyetja “1 milion dollarëshe” që shtrohet pas asaj që ndodhi në këshillin bashkiak të Tiranës mbrëmjen e së mërkurës është nëse ka pasur apo jo një pakt të fshehtë të Veliajt me LSI-në për të gjetur një mënyrë që rritja e çmimit të votohej, por edhe LSI të mos bënte figurë të keqe?

Ky ishte vetëm një moment që ndoshta shumë shpejt do të harrohet, por duket se LSI e ka nisur opozitën “me këmbën e mbarë”.