rama-meta3_2016_12_03_14_0

Pse Rama dhe Meta kanë lëshuar në sulm Luanin dhe Saimirin

Në prag të 1 prillit që 4 vjet më parë i bashkoi në një koalicion, PS – LSI ngjajnë më shumë si dy forca opozitare sesa dy pjesë të së njëjtës qeveri.

Përplasja mes tyre është e hapur.

LSI nuk është regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për bashkinë e Kavajës. Dhe po bën presion të hapur për të mos shkuar as në zgjedhjet e 18 qershorit pa opozitën. “Sepse janë një farsë”, ka deklaruar kryetari i grupit parlamentar të LSI, Luan Rama.

Ajo nuk do të jetë e përfshirë në fushtatë. Kundër kujt do të garojnë nëse opozita nuk merr pjesë? Çfarë duhet më shumë për ta bërë farsë një proces zgjedhor?

“Ne nuk jemi pjesë e këtij procesi në Bashkinë e Kavajës. Jemi në koalicion dhe jemi shumë të përgjegjshëm, seriozë dhe korrektë në koalicion. Jemi shfaqur si partner. Dhe partner do të thotë të dëgjosh e të dëgjohesh, të pyesësh e të të pyesin dhe të vendosësh së bashku. Nuk kam asnjë interes se kush kandidon në Kavajë. Ne nuk u pyetëm as për kandidatin që ishte në Kavajë, pasi e kundërshtuam për këto gjëra që dolën më vonë”, deklaroi Luan Rama para parlamentit.

Por PS e sheh ndryshe. Nga njëra anë ajo i kujton LSI –së detyrimin që ka në koalicion, nga ana tjetër ushtron presion duke thënë se s’ia ka më nevojën, sepse fiton edhe vetëm.

Këtë ia tha Saimir Tahiri sot, me një deklaratë të ashpër të bërë në facebook.

“Nuk mund te mos them sot, si udheheqes politik i Partise Socialiste per qarkun e Tiranes, se prononcimet publike per mospjesemarrje ne zgjedhjet e Kavajes apo per vete procesin zgjedhor ne Kavaje qe na qenka, sipas LSI, farse pa opoziten, jane destruktive dhe nuk ndihmojne askend. Aq me pak kthimin e opozites ne normalitetin demokratik.

Sipas LSI ne duhet te anullojme zgjedhjet ne Kavaje meqe nuk behen ne cader?

Duhet te deklarojme edhe ne, Partia Socialiste, mospjesemarrjen meqe edhe LSI mendoka si PD?

Apo mos duhet te ndjehemi ne fajtore per “farsen” imagjinare te pjesemarrjes, nderkohe qe farsa reale eshte mospjesemarrja?

Ka nje tjeter pyetje te thjeshte: Ku nuk merr pjese LSI? Sepse kandidaturen e Kavajes ne marreveshjen e koalicionit, e propozon PS ashtu sikunder po PS propozoi kandidaturen per Dibren dhe LSI i takonte te propozonte kandidaturen per Kolonjen.

Ndaj LSI le te thote me mire qe nuk deshiron te merret me fushaten e Kavajes dhe kjo mund te jete e mirekuptueshme. Por keshtu nuk shkon, sepse jo vetem nuk vriten dy zogj me nje gur ne kete rast, por po sulmohet PS duke i shkelur syrin PD! Nejse, ne u mesuam me kete standard te cuditshem ku nje partner ne koalicionin, punon si qeveri dhe polemizon si opozite! PS eshte padiskutim oferta me e mire per #shqiperineqeduam Ndaj edhe sikur vetem fare pa asnje parti tjeter, ne do hyjme ne zgjedhje e do fitojme”.

Saimir Tahiri flet për standard të çuditshëm të partnerit. Ndërsa partneri iu përgjigj pa vonesë me çuditë e tij në drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Luan Rama thotë madje se Tahiri as që duhet marrë si referencë.

“Fatmirësisht ne nuk mendojmë njësoj, as si PD dhe as si Saimiri, sepse po t’i referohemi Saimirit, Saimiri edhe para 6 muajsh tha se nuk është e nevojshme përfshirja e ushtrisë në luftën kundër kanabisit, ndërkohë që qeveria dje reflektoi dhe me shumë përgjegjshmëri e seriozitet ridimensionoi përgjegjësitë përballë kësaj çështje të madhe siç lufta kundër kanabisit”.

Përplasjet publike mes dy partnerëve kanë shpërthyer ditë më parë. Janë përfshirë deri tani deputetë e ish –ministra. Ilir Meta ka zgjedhur të shfaqet si parimor, të flasë për bashkëpunim të domosdoshëm mes qeverisë dhe opozitës për të mos thelluar krizën.

Edi Rama është i prerë për të mos e futur opozitën në “pazarin” e radhës që kërkon të mbyllë me Metën. Ai ia ka përplasur derën në fytyrë Bashës, ndërsa ia ka hapur me përulësi atë Metës për të vazhduar koalicionin, i bindur se me Metën e ka fitoren e sigurt dhe besimplotë në shprehjen se “armiku duhet mbajtur afër”.

Se çfarë do të ndodhë pas 1 prillit duket se e di vetëm Meta.

“Të vijë 1 prilli dhe pastaj të shohim”, thotë Luan Rama duke e përforcuar këtë ide dhe po ashtu edhe dyshimet se, ndryshe nga 4 vjet më parë, nëse marrëveshja do të ripërtërihet, ajo nuk do të ngrihet mbi baza parimore, por do të jetë pazari i radhës, çmimin e të cilit do ta vendosë LSI.