Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar deklaratën e ish-deputetit Astrit Patozi i cili në një intervistë për TCH nuk e hodhi poshtë idenë për krijimin e një partie të re brenda PD-së.

“Një lëvizje politike në shumë raste është më e madhe se një parti politike, por unë nuk mund të përjashtoj asgjë në rast se shurdhëria dhe mosreflektimi do të vazhdojë. Ne jemi të vendosur t’i qëndrojmë aksionit tonë politik sepse mendojmë se e kemi detyrim ndaj forcës sonë politike ndaj demokratëve në gjithë Shqipërinë, por dhe ndaj vendit në tërësi”, – tha Patozi sot.

I pyetur për këtë Berisha ka një mesazh publik për Bashën dhe Patozin.

“Unë s’mund të them asgjë më shumë se atë që kam thënë. E konsideroj absolutisht, jashtëzakonisht të rëndësishme që PD të bashkojë rreth vetes demokratët që të viteve 90 e deri sot. Unë jam më i vetëdishëm se kushdo tjetër ndoshta, për vështirësitë që qëndrojnë para opozitës, por unë në vlerësimin tim, dy janë rrugët më kryesore. Së pari bashkimi i të gjithë demokratëve mbi bazën e kontributeve të tyre dhe së dyti bërja e çdo gjëje për të tërhequr rininë me vete. Unë kaq mund të them” – tha Berisha.