Presidenca_1

Zgjedhja e presidentit të ri do të jetë një tjetër moment problematik në marrëdhënien mes PS dhe LSI. Përfolja e emrit të Mimi Kodhelit nga Top Channel si kandidate e mundshme nuk është pritur mirë nga LSI. Posti i kreut të shtetit pëlqehet nga Ilir Meta. Por LSI thotë se ka edhe emra të tjerë dinjitozë. Mosmarrëveshjet për emrin reflektohet edhe tek afatet. LSI thotë se  do të jetë ky parlament që do ta zgjedhë kreun e shtetit, qoftë edhe në seancë të jashtëzakonshme. Pyetjes së Sokol Ballës në Top Story se për cilin variant është LSI, atë të nisjes së procedurës me 18 prill siç kërkon kryeministri apo për zgjedhjen e presidentit në seancë të jashtëzakonshme, Ylli Manjani iu përgjigj:

Presidentin do të zgjedhë ky parlament, do të betohet para këtij parlamenti, pra ky parlament do të mblidhet të paktën njëherë në seancë të jashtëzakonshme”

Po a do të jetë Ilir Meta president? “Nuk e di, por mund të them që LSI, krahas zotit Meta mund të propozonte shumë emra dinjitozë për President”, shprehet Manjani

LSI kërkon në këtë mënyrë të jetë vendimmarrëse në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ashtu siç ishte në rastin e presidentit Nishani. Nëse zgjedhja do të dështojë, atëherë do të jetë parlamenti i ri që do të vendosë.