Të rinjtë e sotëm po rriten në një bote dixhitale dhe orët që kalojnë çdo ditë me smartfonët e tyre, shqetësojnë shumë prindër. Por sa të arsyeshme janë këto shqetësime? Në mesin e opinionit publikut, ekziston një narrativë popullore sipas të cilit telefonat inteligjentë po e shkatërrojnë gjeneratën e ardhshme, duke sjellë një rritje të depresionit, ankthit dhe vetëvrasjeve tek adoleshentët.

Por pavarësisht gjithë kësaj histerie, nuk ka ndonjë dëshmi të forte, nëse koha e kaluar para ekranit dixhital, po u shkakton të rinjve probleme të shëndetit mendor. Realiteti është se fëmijët dhe adoleshentët nuk do ta ndalojnë përdorimin e mediave sociale, dhe një studim i ri sugjeron se s’duhet që ta bëjnë këtë.

Duke vëzhguar përdorimin e smartfonëve tek adoleshentët amerikanë, këta studiues zbuluan se koha e shtuar që kalohet para ekranit, nuk është e lidhur me ndonjë shëndet më të keq mendor. Në fakt, në disa raste, përdorimi i teknologjisë reduktonte ndjenjat e shqetësimit dhe simptomat e depresionit tek pjesëmarrësit në studim.

“Përkundër besimit të zakonshëm, se smarftonët dhe media sociale po e dëmtojnë shëndetin mendor të adoleshentëve, ne nuk shohim shumë bazë tek ideja se koha e kaluar me këto telefona dhe në internet, është e lidhur me rritjen e rrezikut nga problemet e shëndetit mendor”- thotë psikologia Mishelin Jensen e Universitetit të Karolinës së Veriut në Grinsborou.

Për studimin, Jensen dhe kolegët e saj anketuan më shumë se 2.000 të rinj, midis moshës 9-15 vjeç, në një shkollë publike të Karolinës së Veriut, me nivele të ndryshme ekonomike, dhe përbërje të ndryshme racore. Këtyre nxënësve iu bënë 3 herë në ditë pyetje, në lidhje me simptomat e tyre të shëndetit mendor, dhe në fund të çdo dite ata raportonin mbi përdorimin e përditshëm të teknologjisë.

Një vit më vonë, një studim tjetër me një mostër prej afro 400 pjesëmarrësish, i nxiti vullnetarët që të përdornin smarftonin e tyre, teksa do të vëzhgoheshin shumë herë në ditë për 2 javë rresht nga studiuesit. “Në studimin tonë intensiv, ne gjetëm pak prova për të mbështetur një lidhje midis përdorimit të teknologjisë dixhitale nga adoleshentët, dhe simptomave të shëndetit mendor”- përfundojnë autorët .

Përkundrazi, për çudi autorët gjetën disa përfitime nga përdorimi i smartfonëve. Shumë të rinj, raportuan për shembull nivele më të ulëta të depresionit. Këto gjetje, bien ndesh me disa studime të kaluara, që kanë zbuluar një lidhje midis përdorimit të mediave sociale dhe mirëqenies subjektive.

Për shembull në vitin 2017, psikologia Zhanë Tuenge, pohoi në një artikull të botuar në “The Atlantic”, se efekti i aktiviteteve para ekranëve të smartfonëve në hulumtimin e saj është “i pakontestueshëm”, duke rritur me një të tretën rrezikun e prekjes nga depresioni në mesin e përdoruesve që morën pjesë në studim.

Por me kalimin e kohës, përfundimet e Tuenge janë vënë në dyshim. Kur studiuesit e Universitetit të Oksfordit përdorën të njëjtat të dhëna, ata nuk mundën të gjenin asnjë lidhje kaq të qartë. Përkundrazi, ata zbuluan se nevoja e një adoleshenti për të mbajtur syze, ishte më zbuluese për ndonjë simptomë të sëmundjes mendore, sesa koha që ai kalonte çdo ditë duke përdorur teknologjinë dixhitale.

Në këto kushte, çelësi për të kuptuar rolin e teknologjisë mbi shëndetin mendor, mund të qëndrojë tek të kuptuarit se si përdoret, dhe jo sa shpesh përdoret. Fëmijët e sotëm po shoqërizohen gjithnjë e më shumë në internet, dhe mbajtja e tyre jashtë rrjetit, mund t’i izolojë ata nga bashkëmoshatarët e tyre.

Nga ana tjetër, qëndrimi për orët të tëra në rrjetet sociale apo duke parë video, mund të mos jetë diçka e keqe që duhet kufizuar, veçanërisht nëse dikush ka një detyre shkollore që duhet ta realizojë. Autorët sugjerojnë se tani e tutje, studimet duhet të përqendrohen më pak tek vetë koha e kaluar në ekran, dhe më shumë tek mënyra sesi mund të edukojmë më mirë të rinjtë që po rriten në epokën dixhitale.CNA.al