Projekti i qeverisë për modernizimin e pajisjes fiskale, sipas Partisë Demokratike, çdo biznesi do ti kushtojë 600 – 1000 euro.

“Buxheti i vitit të ardhshëm nuk do të jetë kostoja e vetme që do të paguajnë bizneset si faturë e korrupsionit të kudogjendur të qeverisë së Edi Ramës. Çdo biznes duhet të bëhet gati për të nxjerrë nga xhepat nga 600 – 1000 euro si faturë për vendimin korruptiv të qeverisë për sistemin e menaxhimit të faturimit të bizneseve”.

Partia Demokratike në një dalje për mediat thotë se ky projekt i ri do t’i detyrojë bizneset të pajisen me kasë të re fiskale

“Aktualisht, kasat fiskale janë të programuara të transmetojnë të dhëna vetëm 1 herë në ditë, kur biznesi mbyll xhiron, por me VKM Nr. 651, qeveria ka ndryshuar karakteristikat teknike për pajisjet fiskale, duke futur si kriter shtesë – “transmetimin e çdo shitjeje në kohë reale në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Kërkesat e sistemit të ri detyrojnë çdo biznes që të heqë kasat dhe sistemet elektronike që ka sot, për të blerë pajisjet e reja që mundësojnë transmetim të çdo shitjeje në kohë reale. Ky projekt cenon konkurrencën e lirë, mbyll vendet e punës dhe çon drejt falimentimit mijëra biznese“.