big_img_0103

Saimir Tahiri dha disa deklarata shqetësuese në prezantimin e strategjisë së re për luftën kundër drogës. Duket absurde, por sa më shumë e kritikojnë për kanabizimin e Shqipërisë, aq më krenar ndjehet ministri.

Në vitin e katërt në detyrë, Tahiri e quajti “arritje” shqetësimin që ka krijuar tek të gjithë për kultivimin e kanabisit. Fjalimin e nisi me një përshkrim të situatës para vitit 2013.

“Përpara se kjo qeveri të merrte detyrën, zjarrfikëset e Shtetit dhe autobotet e Ujësjellësit ujisnin parcelat publikisht – por çuditërisht nuk kishte asnjë debat për Kanabisin. Askush nuk fliste. Askush nuk dukej i shqetësuar. As qeveria e atëhershme nuk shqetësohej. As analistët (që sot nuk lenë ekran), as gazetarët, as media, as shoqëria civile, askush nuk fliste. Heshtje”

Arritja e qeverisë në optikën e Saimir Tahirit, qëndron tek fakti se në vitin 2017 të gjithë janë të shqetësuar për kanabisin, gazetarët, politikanët, madje edhe trafikantët.

“Sot është e kundërta. Është krejtësisht e kundërta: të gjithë janë të shqetësuar! Dhe shumë mirë. Sepse kjo është arritja jonë më e madhe: shqetësimi i të gjithëve. Askush nuk është i qetë. Askush nuk fshihet. Askush nuk bën “sikur”. Dhe pikërisht kjo qeveri, ne, Policia e Shtetit, i vuri gishtin problemin dhe filluam ta zgjidhnim.

Dhe bashkë me ne, shumë mirë, u zgjuan të gjithë. Pavarësisht se sot bëjnë si të shqetësuar edhe ata që dje ishin  në qeveri – dhe flinin. Edhe ata që ishin dhe janë në media e bëjnë analizë. E kushdo tjetër që, pikërisht lufta jonë kundër Kanabisit, duket se u hapi sytë dhe panë se “e paska ky vend këtë problem”.

Pas katër vitesh në detyrë, kjo situatë ka vetëm një emër, quhet dështim. Sepse i vetmi shqetësim që mund të kenë kultivuesit e drogës sot, është mungesa e tregut, me atë superprodhim që pati në 2016. Të tjerët janë të shqetësuar për drogën që përdorin të rinjtë në shkolla, për krimin që fuqizohet me paratë e drogës, për 2 miliard euro që janë në qarkullim për zgjedhjet e 18 qershorit, për skafet me drogë në Itali, për mediat e huaja që e quajnë Shqipërinë si Kolumbia e Europës.

Shqetësues duket edhe perceptimi që ka Tahiri për detyrën. Kur konsideron arritje shqetësimin që krijoi me hashashin, ndoshta entuziazmohet kur ka shqetësim për vrasjet, aksidentet, inkriminimin e policisë, korrupsionin etj. Shpresa mbetet tek fakti që ministri i brendshëm nuk i shkruan vetë fjalimet. Në rast të kundërt, dikush t’ia kontrollojë