Basha cadra

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha iu përgjigj edhe njëherë sfidës së kryeministrit Rama për t’u ulur në një tryezë dialogu, qoftë edhe në çadrën e opozitës. Basha tha se Rama është i mirëpritur në çadër vetëm për të firmosur për qeverinë teknike që do të garantojë zgjedhje të lira e të pavarura.

“Nëse Edi Rama do me të vërtetë të zhbllokojë rrugën europiane të Shqipërisë, e mirëpresim në këtë çadër për të firmosur këtu qeverinë teknike, e cila do të këpusë lidhjet e politikës me krimin dhe drogën, do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë do t’u kërkoj njerëzve në këtë shesh dhe gjithë Shqipërisë ta mirëpresim Edi Ramën si të penduar që vjen e jep dorëheqjen këtu.
Dialogu fillon me këtë akt që zhbllokon zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe zhbllokon reformën në drejtësi. Në këto kushte është i mirëpritur në këtë shesh të lirisë dhe në këtë çadër të lirisë. Por nëse kjo është një tjetër lojë, një tjetër demagogji, një tjetër mashtrim, i them se koha për lojëra ka mbaruar dhe nuk ke pse të vish në këtë shesh sepse do të vijë sheshi tek ty”
, u shpreh Basha duke folur përpara fermerëve, të cilët, sipas tij, janë gënjyer për 3 vjet me radhë nga Rama.