Shqipëria mund të konsiderojë përfshirjen e një kolone të dytë në sistemin e detyrueshëm të pensioneve.

Kjo do të përfshinte edhe pensionet private në skemën e detyrueshme të pensioneve, me qëllim garantimin e përfitimeve më të mëdha për kontribuuesit dhe lehtësimin e barrës për buxhetin e shtetit. Me kërkesën e Kuvendit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pritet të përgatisë një dokument për mënyrat sesi mund të realizohet një alternativë e tillë. Ekspertët mendojnë se ngritja e një kolone të dytë do të ishte një hap pozitiv, por shprehen se nxitja e tregut financiar nuk duhet të kufizohet vetëm në skemat e e pensioneve.

Drejtori i Bursës ALSE, Artan Gjergji, thotë se përfitimet nga fondet private të pensioneve do të maksimizohen vetëm duke ju garantuar atyre alternativa të reja investimi. Këto alternativa mund të vijnë duke zhvilluar tregun e kapitalit në vend.

Aktualisht, në Shqipëri veprojnë tre fonde pensionesh private, me mbi 26 mijë anëtarë, ndërsa, në vlerë, tregu ka përmasa relativisht të vogla, me rreth 20 milionë euro asete. Kontributet në këto fonde investohen në pjesën dërrmuese në obligacione të qeverisë shqiptarë. Ekspertët mendojnë se zgjerimi i spektrit të instrumenteve financiare do të sillte kthime më të larta dhe do t’i bënte këto skema më tërheqëse për publikun.