Partia Demokratike ka zbardhur agjendën e kryetarit Lulzim Basha për këtë javë, gjatë të cilës parashikohet që të zhvillohen takime me qytetarët në pesë qytete.

Në fokus të këtij turi, do të jetë bashkëbisedimi “për të ardhmen e përbashkët”.Seria e takimeve të kryedemokratit quhet “Rrugëtimi për Shqipërinë” dhe do të përfshijë Elbasanin, Korçën, Shkodrën, Vlorën dhe Krujën.

Objektivi kryesor i këtyre takimeve është projektimi i zgjidhjeve afatgjata, për çdo çështje dhe problematikë që vetë qytetarët do të ngrejnë përmes pyetjeve të drejtëpërdrejta drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Basha.”- shkuhet në njoftimin e selisë blu.

Prej kohësh, Basha është shprehur se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme, si rruga e vetme për zgjidhjen e krizës politike. Sipas liderit të opozitës joparlamentare, vendi është gati të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme menjëherë pas kalimit të Reformës Zgjedhore, që do të mund të garantonte kushtet për zgjedhje të lira.

Pak ditë më parë, Basha është shfaqur në një video-mesazh tipik të spoteve përgjatë fushatave, ku i drejtohet sovranit me sloganin “Shqipëria ime”. “Megjithë sfidat që kemi përpara, i yni është një vend mahnitës, me njerëz të talentuar dhe plot potenciale të jashtëzakonshme. Është koha që së bashku t’i vëmë në jetë.”- shkruante Basha bashkëngjitur videos, ku ndër të tjera promovohen bukuritë natyrore të vendit, që përbëjnë potencialin e sektorit të turizmit.

Ndërkohë, në një intervistë të dhënë së fundmi për televizionin “Vizion Plus”, Basha deklaroi se opozita e bashkuar joparlamentare është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme, me kushtin e vetëm që qytetarëve t’u garantohet vota e lirë. I pyetur nëse opozita i qendron kushtit të cilësuar si të panegociueshëm për pjesëmarrjen në zgjedhje, largimit të kryeministrit Edi Rama, kryedemokrati dha një përgjigje të nënkuptuar. “Secili duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Një njeriu, i cili është kapur duke vjedhur edhe veten e tij, siç ndodhi me 30 qershor, mund t’i besohet se do të organizojë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Po të lexojmë në raportet e OSBE/ODHIR-it përgjigja është e thjeshtë: Jo! Po të lexojmë kushtet e Bundestagut, përgjigja është e qartë: Jo!”