Grida Duma 16 Dhjetor 2015_0
Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend kërkesën për mbarimin e mandatit të deputetit Rakip Suli, pasi ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit, duke përfituar fonde publike nga OSHEE. Në një konferencë për shtyp, Grida Duma tha se Suli e pranoi se merr para nga fondet publike.

“Milionat që merr çdo muaj nga OSHEE, sjellin automatikisht papajtueshmërinë e mandatit të deputetit të Ramës. Pas denoncimit tonë tre ditë më parë, Suli e pranoi se godina e tij ka kontratë qiraje me OSHEE, por tha se ai nuk ka më aksione në këtë biznes.

Dokumenti i QKR që keni në ekran, tregon se tashmë aksionet i ka Saimir Suli, djali i deputetit. Dhe ligji 9367, pika 1 e nenit 24, ndalon kontratat apo përfitimet me fondet publike edhe për familjarët e deputetit, fëmijët e tij madhorë, siç është në këtë rast me djalin e zotit Suli”, u shpreh Duma.rakip-suli-e1369384764841
Ajo theksoi se ky është një rast i përsëritur i abuzimit, i zhvatjes së milionave të parave të shqiptarëve nga deputetët e Edi Ramës. “Ky është shteti i korruptuar i Edi Ramës, ku në çdo drejtim, në çdo fushë është ngritur skema e ndarjes së milionave. Banda e hajdutëve të OSHEE, me porosi të Edi Ramës vazhdon të shpërndajë pako me miliona për njerëzit e kryeministrit, ndërkohë që me dhunën dhe arbitraritetin që tregon çdo javë lë pas një viktimë, një qytetar apo familjar të pamundur që nuk përballon dot errësirën në këtë dimër të ftohtë”, tha Duma.

Më tej ajo përmendi ministrin e Shëndetësisë, deputetët Sadri Abazi dhe Koço Kokëdhima që sipas PD kanë përfituar miliarda lekë.

“Kështu i zhvatin milionat këta. Ilir Beqa bën sikur heq dorë nga firma e tij, dhe merr 31 tenderë me mbi 11 milionë dollarë, Sadri Abazi po ashtu, merr 970 milionë lekë, Kokëdhima merr miliarda. Kështu pasurohet banda e Edi Ramës dhe 40 hajdutëve të tij”, theksoi Duma.

Ajo ripërsëriti thirrjen për protestë. “Për këto abuzime, vjedhje e padrejtësi, Populli është në këmbë. Revolta do ta ndalë shtetin e korruptuar të Edi Ramës. Nesër në orën 10, në dyert e parlamentit qytetarët do të tregojnë se ata janë zot të vendit”, përfundoi Duma.