Astrit-Patozi_4
“Një politikë, që rrënoi pa kthim njerëzit e këtij vendi nuk mund të mburret se do të rilindë drurët, edhe sikur kjo që po premton sot të jetë e vërtetë”. Deputeti i PD, Astrit Patozi e vlerësoi kështu nismën e kryeministrit Edi Rama për të miratuar një projektligj për mbrojtjen e pyjeve. E konsideron një nismë hipokrite, sepse –thotë ai- nuk mund t’i kërkosh (një qytetari) të ketë ndjeshmërinë e nevojshme për pemët, një burri apo një gruaje, që ka në pikëpyetje bukën e fëmijëve të vet”. Në fjalën e tij në parlament ai shpjegoi se ky ligji e ndalon fshatarin që të presë dru në pyllin që ka pranë dhe duhet ta blejë lëndën drusore për t’u ngrohur tek klientët e qeverisë që kanë marrë licensa për shfrytëzimin e pyjeve. Dhe kjo, – thjotë Patozi – nuk është mbrojtje e pyjeve, sepse për këtë duhej një moratorium. Përpara kësaj nisme, ai i kërkoi Edi Ramës të hedhë sytë nga çështje të tjera më të rëndësishme me të cilat po përballen qytetarët. Dhe në frymën e kërkesës për moratorium, ai i sugjeroi që të vendosë një të tillë edhe për koncesione e tenderat që bien era korrupsion.

Fjalimi i plotë:

Natyrisht që unë nuk jam ekspert pyjesh dhe nuk do të flas sot si i tillë. Por besoj se nuk ka nevojë të kesh lindur apo jetuar në pyll për të njohur dhe kuptuar vlerën e tij për një vend dhe për një popull. Nuk po i hyj këtu ekskluzivitetit që na takon si parti, e cila sipas Edi Ramës e përfaqëson më mirë se kushdo shpellën dhe pyllin, kryesisht për shkak se disa udhëheqës të saj janë nga Veriu i Shqipërisë. Megjithëse nuk jam nga ato anë, unë nuk mund të mos e ndjej njësoj përcmimin e kryeministrit, sepse besoj që ai nuk e ka inatin me vendlindjet tona, por e gjitha vjen për shkak se ne jemi kundërshtarë të tij. Qeveria pretendon që me anë të këtij ligji ta mbrojë pyllin nga njeriu, duke pranuar tërthorazi se e ka të pamundur t’ia heqë atij nga dora sharrën apo sopatën, i cili në veteteve është një akt pafuqie dhe dorëzimi, dhe kurrësesi një gjest force.

Ky ligj mund të quhej si ndryshim i regjimit të shfrytëzimit të pyjeve, sepse nuk është moratorium. Do të ishte i tillë në rast se do të ndalohej për një kohë prerja e cdo druri, por ligji përjashton nga kjo ndalesë atë kontigjent, që përdoret për ngrohjen e popullatës. Që do të thotë se ai nuk qëndron as në titullin e vet. Për ta shpjeguar më thjeshtë. Cfarë pritet të ndryshojë ky ligj në fshat? Po marr shembull një zonë socialiste. Në Progonat i bie që nesër fshatarët të mos presin pemë tek pylli që kanë më afër për t’u ngrohur, por të zbresin e t’i blejnë ato në Tepelenë tek firma e Tërmet Peçit. Këtë dhuratë u bëjmë sot.

Ndërkohë unë mendoj qeveria nuk e ka fare merak se cfarë do të arrihet me këtë ligj, sepse ajo ka më shumë hall të shpalosë gjoja kujdesin e saj të vecantë për pemët, sesa rezultatin që do të sjellë. Që do të thotë se në gjenezën e vet kjo është një nismë hipokrite dhe jo një aksion serioz, që synon një produkt konkret, pa llogaritur këtu dëmet ekonomike dhe keqkuptimet korruptive, që ai mund të shkaktojë.

Duket më shumë si “copy paste” e moratorumit për gjuetinë, i cili në fakt është, sipas meje, i pakrahasueshëshm nga ndikimi me këtë ligj. Sepse, në radhë të parë, gjuetia është sport, dhe nuk bëhet ndonjë qamet i madh, nëse një numër i kufizuar të apasionuarish nuk do ta ushtrojnë atë për disa vite. Kurse përpunimi i drurit është industri, të cilën ti e kufizon, e pengon dhe e dëmton me një të rënë të sëpatës, vetëm se je i paaftë ta ruash pyllin si e gjithë bota. Së dyti, shpendët dhe kafshët në proceset e tyre jetike, ia dalin edhe vetë të ruajnë ekuilibret natyrore, pasi miu ha grurin, gjarpri ha miun, por gjarprin e ha dhelpra, e kështu me radhë deri tek tek ariu, se tek ne nuk rriten luanët. Ndërsa pyjet e vjetra apo të degraduara e kanë të domosdoshme ndërhyrjen e sëpatës apo sharrës së druvarit për regjenerimin e tyre.

U zgjata shumë në aspektet teknike të këtij ligji, por mesa duket më rrëmbeu edhe mua muza e origjinës politike dhe nuk e mbajta dot veten. Dua t’ia lë nënkryetarit të nderuar të komisionit të veprimtarive prodhuese, zotit Ruli, që ta shprehë qëndrimin e plotë të grupit të PD për të gjithë detajet dhe aspektet e këtij moratoriumi fals.

E zemë për një cast se do marrim të mirëqenë faktin që kjo qeveri ka vendosur t’i marrë realisht në mbrojtje pyjet tona. Pyetja është a duhet t’i themi ne asaj faleminderit si shqiptarë për këtë? Unë them se jo. Sepse bimët, ku futen edhe pyjet, gjenden në rendin e tretë të hierarkisë së gjallesave të tokës. Të parët janë njerëzit, dhe nuk besoj se ndahemi tek kjo pikë, pavarësisht në jemi të majtë apo të djathtë. Dhe pyetja që të vjen menjëherë ndër mend është në i ka mbaruar qeveria jonë detyrat e veta me dy kategoritë e tjera, që po merret tani kaq seriozisht me pyjet?

Bindja ime, e mbështetur në shumë prova, është se ajo po bën sikur po i mbron pyjet, ndërkohë që është duke sharruar pa mëshirë njerzit e këtij vendi. A mund të qahemi ne më shumë për disa mijëra pemë më pak, kur Shqipëria po zbrazet me ritme ngjethëse nga njerëzit e vet, pikërisht nga ata që do të duhej të shijonin dhe përfitonin prej pyjeve? Janë rreth 400 mijë vitin e kaluar që me shifra zyrtare kanë kërkuar azil ose kanë aplikuar për green card, për të ikur nga sytë këmbet nga atdheu i tyre. Dhe unë nuk besoj se ata kanë ikur dhe duan përditë të braktisin Shqipërinë për shkak të masakrës së pyjeve dhe aq më pak do të joshen për t’u kthyer po t’u themi se këtu nuk do të pritet më asnjë pemë. Por ata kanë ikur dhe do të vijojnë të largohen të prerë në besë nga një qeveri, e cila u premtoi, një gjë krejtësisht tjetër dy vjet gjysëm më parë. Ndaj një politikë, që rrënoi pa kthim njerëzit e këtij vendi nuk mund të mburret se do të rilindë drurët, edhe sikur kjo që po premton sot të jetë e vërtetë.

Ne nuk jemi në Finlandë këtu, ku përkujdesja ndaj pemëve mund të ketë realisht vëmendjen dhe interesimin maksimal të publikut. Jo se nuk e kuptojmë dot si finlandezët apo skandinavët e tjerë vlerën e pyjeve, as se nuk i meritojmë më pak ato, por se për shkak të problemeve të rënda që kanë shqiptarët, raporti i tyre me natyrën konsiderohet ende luks. Dhe ky nuk është as destin dhe as fatalitet, por pasojë e mëkateve të rënda të politikës.

Për shkak të kësaj qeverie në Shqipëri është rritur varfëria dhe është ulur ndjeshëm konsumi. Por ndërsa në këtë vend nuk ndërtohet më pothuajse asgjë, asnjë kilometer rrugë, ujësjellës apo shkollë, kjo nuk ndodh me aferat korruptive shumëmilionëshe, të cilat nuk po i lënë radhë njëra-tjetrës. Ndaj edhe shqiptarët sot po nxitojnë të ikin pa pritur që të rrafshohet apo të ruhet pylli që kanë afër shtëpisë. Sepse nuk mund t’i kërkosh të ketë ndjeshmërinë e nevojshme për pemët, një burri apo një gruaje, që ka në pikëpyetje bukën e fëmijëve të vet. Bukuria e një pylli të virgjër nuk ka asnjë kuptim për një njeri, që përpëlitet të mbijetojë në varfëri ektreme, për shkak se shteti i vet nuk i jep asnjë shans.

Kjo është një qeveri që i ka vënë sëpatën shpresës së njerëzve se këtu mund të jetohet normalisht dhe me djersën e ballit, se këtu mund të ketë një minimum drejtësie, ku i dobëti dhe i varfëri nuk do të injorohet dhe poshtërohet, dhe që ky të mos jetë një vend ku të fortët e rrugës bëhen poltikanë dhe politikanët bëjnë si të fortë në rrugë. Unë e refuzoj këtë lloj politike të shpifur sic dhe nuk e pranoj dot këtë shfaqje të shëmtuar shtirjeje, sikur po bëjmë sa dhe si duhet për zgjedhësit tanë.

Po të kisha mundësi, do të hiqja dorë nga hisja e gjelbërimit, që më takon edhe mua si cdo shqiptar tjetër, ndonëse vijoj të mbetem adhurues i natyrës dhe i bukurive të saj. Dhe do t’i drejtohesha kryeministrit që pjesën time të pyllit ta kthente në kujdes dhe ndihmë, por jo në lëmoshë, për të varfërit, edhe pse vetë nuk i përkas kësaj shtrese.

Edi Rama! Nëse do vërtetë të bësh moratoriume në dobi të këtij vendi, po të jap unë ca ide, se mbase të duhen. Bëj në fillim një moratorium sa më të gjatë për ndalimin e koncensioneve, ndonëse nuk jam parimisht kundër kësaj praktike administrimi dhe menaxhimi, sepse ajo nuk është problematike në vetvete. Por më mirë të mos bëhen fare ca vite, se sa të qelben të gjitha era korrupsion, nën drejtimin apo bekimin tënd, sic po ndodh tani. Dëmi do të ishte, në të gjitha rastet, më i vogël.

Le të ndalohen edhe për ca vite tenderat me prokurim të drejtpërdrejtë, se vetëm mirë do të kishim prej saj. Sepse po bëhet kërdia edhe me to. Po ashtu edhe ndërrimi i zyrave të ministrive apo dikastereve të tjera të qeverisë, një sport ky shumë i përhapur këto vite, që con në rrush e kumbulla shuma kolosale të taksave tona, pa asnjë dyshim në funksion të korrupsionit.

Po deshe, bëj edhe një moratorium, që të mos u hyj njeri në mes tek martesa me leverdi, që ke me Ilir Metën, ndonëse je i vetmi që predikon lidhjen e dy njerëzve për pazar, ndërkohë që bota ka me mijëra vjet që i falet dhe i lutet dashurisë. Nuk jam i sigurtë në suksesin e tij, sepse nuk e parashikoj dot tundimin mbarëkombëtar për të prishur atë, por ti provoje një herë. Do të vazhdoja kështu për plot paudhësi të tjera të qeverisjes, pa shpresën më të vogël, se dicka e tillë do të ndodhë, sa të jetë në këmbë kjo qeveri.

Po i drejtohem atij, se kam dëgjuar që ky moratorum është nismë personale e kryeministrit, një ndër ndër ato shkrepjet e tij të zakonshme, e ngjashme me vizatimet e fasadave të ndërtesave të Tiranës, ku me tipiku është Pallati me Shigjeta. Për arsyet që shtrova më lart, nuk kam pikën e besimit se ajo do të sjellë ndonjë pasojë pozitive, ndonëse nuk e uroj një gjë të tillë. Dhe këtë nuk e ka për shkak të origjinës politike, që më lidh me pyllin. Por edhe sikur kjo të ndodhte, unë e kam sërish të vështirë ta duartrokas dhe përshëndes sot Edi Ramën. Sepse më duket njësoj si një vrasës me pagesë, që pasi ka cuar në atë botë dhjetëra viktima, derdh lotë të nxehtë, kur i ngordh qeni apo kur i thahet lulja në ballkon nga i ftohti.

Fjala sot në Kuvendin e Shqipërisë