14882319171111 (1)

Astrit Patozi hodhi idenë e një qeverie teknike me kryeministër socialist. Në vijim të fjalës së tij në Top Story, ai sqaroi se kjo ishte bindja e tij personale dhe jo qëndrim i partisë së tij.
“Le të jetë një qeveri teknike me një kryeministër tjetër socialist. Të jetë një Qeveri që do të përgatisë zgjedhjet”, tha ai.
Ai e konsideroi emergjente situatën aktuale dhe propozoi që qeveria teknike të mos ngrihet vetëm për këto zgjedhje, por të vendoset traditë për zgjedhjet edhe në ta ardhmen.
“Forcat politike duhet të arrijnë një marrëveshje jo vetëm për këto zgjedhje, por edhe për zgjedhjet në të ardhmen. Ta vendosim në Kushtetutë, ose ta kthejmë në zakon kushtetues, që 3 muaj para zgjedhjeve, qeveria tërhiqet dhe i lë vendin qeverisë teknike që organizon zgjedhjet”, tha ai.
Patozi përjashtoi mundësinë që opozita të bojkotojë procesin në 18 qershor,
“Për mua është jashtë çdo diskutimi. Unë e konsideroj sajesë të kundërshtarëve. Është shkëputur nga konteksti i fjalës së zotit Basha. Ne kemi mundësi të arrijmë edhe zgjidhjen edhe zgjedhje. Pra të arrijmë qeverinë kujdestare për zgjedhje normale. Kam bindjen se do ta zgjidhim këtë”, u shpreh ai.
Eduard Shalsi tha se Partia Demokratike dhe drejtuesit e saj kanë frikë të përballen në zgjedhje me Edi Ramën,.
“Makthi i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës nga Edi Rama ka qenë, është dhe do të mbetet. I ka mundur në zgjedhjet e vitit 2000, në 2003, në 2007, në 2013 dhe 2015. PD ka frikë të përballet me këtë Kryeministër dhe këtë mazhorancë. Kjo Qeveri ka ndërmarrë reforma në të gjitha fushat. Janë të panumërta sukseset e kësaj mazhorance dhe këtij kryeministri”, u shpreh ai.
Në fund, Shalsi bëri një apel për opozitën.
“Ejani në Parlament dhe provojuani shqiptarëve që e doni reformën në drejtësi, jo me fjalë por me vepra”, deklaroi deputeti socialist.