Rëndohet situata për Shqipërinë pasi pas Holandës edhe disa politikanë zviceranë po hedhin idenë e rikthimit të vizave. Këshilltari legist nga Kantoni i Ticinës, Lorenzo Quadri, ka kërkuar interpelancë me Këshillin Federal, e në aktin parlamentar citohen lëvizjet e Parlamentit holandez për të rikthyer vizat për shqiptarët në zonën Shengen dhe kërkesa e mëpasshme zyrtare e qeverisë atje drejtuar KE-së.

“Detyrimi i vizave për shqiptarët u hoq në 2010-ën. Që prej atëherë, ata mund të lëvizin lirshëm. Parlamenti holandez e ka motivuar kërkesën e tij me rritjen shqetësuese të krimit, veçanërisht të tipit mafioz, që vjen nga Shqipëria” – shkruan Quadri.

Në Holandë jetojnë 6 herë më shumë shqiptarë sesa ata që janë deklaruar zyrtarisht dhe se sipas policisë së Roterdamit, mafia shqiptare është organizata më e dhunshme kriminale në atë qytet gjatë viteve të fundit. Një problem tjetër i ngritur është emigracioni i paligjshëm i shtetasve shqiptarë në Holandë, veçanërisht meshkujt e rinj.