Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike, ku kjo e fundit u shpreh se përveç Rexhepit, para Drejtësisë duhet të japin llogari edhe Rrahman Rraja, Taulant Balla dhe Artur Bushi.

Balla shprehet se PD-së nuk i intereson drejtësia për vajzën e dhunuar, por sipas tij lufta e pisët politike me të dhe Partinë Socialiste!

Balla shkruan në llogarinë e tij në Facebook se është prej vitesh halë në sy për Saliun, Lulin dhe ca sherbëtorëve ordinerë të tyre.

“Nuk më çudit asgjë që ata thonë, bëjnë, nxisin, thurin apo inskenojnë për të më baltosur e cënuar mua. Siç në fakt ishte shpifja e radhës në qershor me paratë e kapura nga Policia e Shtetit, kur në fund i humbur doli Lulzimi e të cilit do t’i duhet të paraqitet më datë 10 Tetor në Gjykatë si i akuzuar. Por kjo deklaratë sot më ka çuditur pak se është e gjitha në mbështetje të qasjes sonë dhe deklarata konfirmon se Luli dhe PD vajzën e dhunuar e duan thjeshtë mish për top në luftën politike”, shprehet Balla.

Ai shkruan se mezi po pret që Prokuroria të nisë hetimin për rastin në fjalë.

“Mezi po pres që Prokuroria të fillojë hetimin mbi kallzimin e depozituar prej meje javën e shkuar dhe të thërrasë edhe të kallzuarin kryesor, Lulzimin! Jam i sigurtë që rezultatet do të jenë të shpejta dhe se regjizori Lulzim bashkë me aktorin e radhës së Babale 2 do të japin llogari para drejtësisë. Sa për Saliun atë e ka kallzuar koha dhe s’ia vlen të merremi me të në këtë rast”, shkruan Balla.