kokedhima-rama

Koço Kokëdhima takoi këtë të martë qytetarë të Fierit ku prezantoi platformën e lëvizjes së tij politike të quajtur “Zgjidhja” brenda Partisë Socialiste.
“Zgjidhja” është një lëvizje politike e socialistëve të bazës, brenda Partisë Socialiste. Ajo nuk është kundër askujt, është gjithëpërfshirëse dhe në të mirë të qytetarëve të thjeshtë” – tha Kokëdhima i cili u tregua i ashpër me kryeministrin dhe kreun e PS-së Edi Rama .
“Udhëheqja jonë është arrogante, e mbyt debatin, i kërcënon e shantazhon dhe i pushon nga puna ata socialistë e qytetarë që kanë dhe flasin mendime të tjera nga kryetari”- tha ai duke bërë një parsghik jo shumë optimist për zgjedhjet që po vijnë.
“Në këtë rrugë që ecën, PS rrezikon që të prekë, në zgjedhjet e qershorit, pozitën e vet më të keqe historike. Ajo rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve. Udhëheqja e PS-së është autokratike, forumet e saj nuk informohen, nuk diskutojnë e vendosin për asgjë kolegjialisht. Grupi parlamentar, Asambleja Kombëtare dhe Kongresi kanë rënë plotësisht. Niveli i tyre, nga pikëpamja e funksionimit, debatit dhe respektimit të rregullave të partisë, është më i ulët edhe se niveli që kishte organizata e rinisë së Lapulecit në kohën e Enverit! Asnjë zhvillim i rëndësishëm nuk debatohet e vendoset në forumet e partisë. Këto forume përdoren vetëm për propagandë nga ministrat dhe kryetari” – tha Kokëdhima.
Ai ishte i ashpër edhe për reformat ekonomike të qeverisë.
“Qeveria jonë ka vepruar si Sudja dhe si Rrapush Xhaferri. Është njësoj sikur qeveria të marrë lekë me fajde, si këta ose si Driza i skemës financiare mashtruese “Populli”. Edhe ata fillimisht i merrnin huatë me çmim më të lirë. Vetëm kur ju erdhi fundi i hipën përqindjet mbi një në ditë, ndërsa piramidat që konsideroheshin më serioze, i mbajtën interesat deri në 72 për qind në vit”.
“Këtu sundon pabarazia, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Administrata është e mbushur më tutkunë, me njerëz të pasjellshëm, me të paaftë, me njerëz që i blejnë vendet e punës, i fitojnë me mik, me taraf, ose duke i shërbyer një kryetari partie me vota e me para. Po nuk pagove nuk mbaron dot punë. Edhe duke i paguar, zyrtarët ua shpien buzën mbrapa. Njerëzit e thjeshtë nuk ndihmohen, nuk respektohen, nuk dëgjohen. Janë kaq të përhapura këto fenomene saqë njerëzit e mirë, idealistë e të ndershëm, të cilët vazhdojnë të punojnë në administratën publike, ngjajnë si budallenj që s’bëjnë edhe ata si të tjerët”.
“Në vitin 2013 populli ynë pati shumë shpresë te Edi Rama. Sot, shumë socialistë dhe qytetarë të thjeshtë, mendojnë se Edi Rama është si Saliu, u soll me pushtetin njësoj si Berisha. Shumë nga ata që votuan Ramën dhe koalicionin tonë në zgjedhjet e shkuara, ndihen thellësisht të zhgënjyer, siç janë ndier të zhgënjyer prej liderëve të tjerë politikë më përpara. Përse përfundojnë në këtë lloj zhgënjimi votuesit tanë? Përse të gjithë këta liderë sillen njësoj me pushtetin dhe me popullin tonë? Arsyen duhet ta kërkojmë te deformimet e sistemit, te partitokracia që vetë Rama dhe Berisha kanë ndërtuar e konsoliduar në Shqipëri”
–tha Kokëdhima.